Revolucioni në futboll: Gjyqtarët do të ndalojnë kohën, rregulla të reja edhe për pozicionin jashtë loje

Fundjavën e ardhshme do të mbahet takimi i 139-të vjetor i Bordit Ndërkombëtar të Shoqatave të Futbollit (IFAB), ku do të diskutohet zbatimi i rregullave të reja në sportin më të popullarizuar, shkruan gazeta franceze L’Equipe.

Në këtë takim pritet të miratohen ndryshime që do të hyjnë në fuqi nga korriku, përfshirë të ashtuquajturin “Ligji i Wengerit” për pozicionin jashtë loje, komunikimin e gjyqtarëve gjatë përdorimit të VAR-it dhe vendosjen e kohës efektive të lojës.

Rregulli i ri për pozicionin jashtë loje tashmë është testuar në turne të të rinjve në Itali dhe Suedi dhe, sipas propozimit të legjendës Arsène Wenger, një lojtar do të konsiderohet në pozicion jashtë loje vetëm nëse >i gjithë trupi i tij ndodhet përtej vijës së mbrojtësit të fundit.

Në praktikë, kjo do të thotë që për aq kohë sa një pjesë e trupit të lojtarit është e rreshtuar me mbrojtësin e fundit, ai nuk do të jetë në pozicion jashtë loje.

Në Kupën e Botës për femra në vitin 2023 tashmë janë përdorur njoftime publike të gjyqtarëve pas analizave të VAR-it, dhe kjo praktikë së fundmi është testuar edhe në Kupën e Ligës së Anglisë.

Kjo do të thotë që gjyqtarët, pas marrjes së vendimit, do ta shpjegojnë atë drejtpërdrejt përmes mikrofonit për të gjithë stadiumin.

Në takim gjithashtu do të diskutohen përparimet në teknologjinë gjysmëautomatike për zbulimin e pozicionit jashtë loje, si dhe përdorimi i kamerave të lëvizshme për një perspektivë më të mirë të gjyqtarëve.

Një nga vendimet më të rëndësishme mund të jetë ajo që lidhet me kohën efektive të lojës, pasi gjyqtarët mund të marrin të drejtën për të ndaluar kronometrin gjatë analizave të situatave të diskutueshme ose në rast të një dëmtimi të rëndë.

Kategoritë
Sport