Mesfushori i Kosovës, Elvis Rexhbeçaj, ka treguar se janë gati për ndeshjen e sotme ndaj Rumanisë dhe se janë gati për të luajtur të bashkuar dhe për ta dominuar takimin.
Dardanët luajnë sot (e premte) me fillim nga ora 20:45 ndaj Rumanisë në stadiumin “Arena Nacionale” në kuadër të Ligës së Kombeve.
“Stërvitjet kanë shkuar shumë mirë këtë javë. Besoj se jemi gati, e dimë se çfarë atmosfere na pret, por ne jemi futbollistë profesionistë të gjithë, jemi të përgatitur 100 për qind për ndeshjen kundër Rumanisë”, ka thënë fillimisht Rexhbeçaj.
“Na duhet që ta kontrollojmë lojën në mesfushë, por duhet të gjithë të luftojmë së bashku, pasi kemi ekip shumë cilësor në ofensivë. Do të luajmë të bashkuar në mënyrë që ta dominojmë lojën”.
“Unë jam gati dhe nuk frikësohem. Dua të bëhem lojtar i madh për Kosovën. Dua ta ndihmoj ekipin për të fituar dhe ta rrisim vetëbesimin”, përfundoi mesfushori i Dardanëve.
Ndryshe, Në Grupin C2 të Ligës së Kombeve, Rumania kryeson me 12 pikë, ndërsa Kosova e ndjek me 9 pikë. Për të fituar grupin dhe për të avancuar në Ligën B, Kosovës i nevojitet një fitore më e thellë se 3-0 kundër rumunëve. /Telegrafi/