Në vijim po paraqesim të dhënat më të fundit të disponueshme se sa rezerva devizore kanë vendet e rajonit në kohën e krizës botërore energjetike, pra sa fonde në thesarin e shtetit do të përballojnë sfidat e reja.
Kriza e energjisë dhe sigurisë e shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe rritja e shpejtë e çmimeve të energjisë në botë ka ngritur në mënyrë të pashmangshme pyetjen se si vendet do të arrijnë të përballojnë pasojat për ekonomitë e tyre.
Goditjet globale që vijnë nga presioni për të importuar naftë, energji dhe ushqime shkaktojnë turbulenca në politikën monetare dhe në rezervat valutore.
Në vijim po paraqesim të dhënat më të fundit të disponueshme se sa rezerva devizore kanë vendet e rajonit në kohën e krizës botërore energjetike, pra sa fonde në thesarin e shtetit do të përballojnë sfidat e reja.
Mbi tre miliardë euro Maqedonia e Veriut
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Popullore, Maqedonia e Veriut në fund të qershorit kishte rezerva devizore prej 3,116 miliardë euro. Pjesa më e madhe e tyre janë letrat me vlerë ose 73.3 për qind, pasuar nga valutat dhe depozitat me 14.5 për qind dhe ari monetar me 12.3 për qind. Kjo është një rënie e lehtë krahasuar me majin kur rezervat valutore ishin 3,183 miliardë euro.
Nga viti 2017 e deri më sot, rezervat devizore ishin në nivelin më të lartë në qershor të vitit 2021, kur arritën në 4,019 miliardë euro.
Në një deklaratë për media, profesori universitar dhe anëtar i Këshillit të BPRMV-së, Borçe Trenovski, thotë se rezervat devizore janë amortizuesi që garanton stabilitetin e kursit të këmbimit të monedhës vendase.
“Ata kanë rol që t’i eliminojnë presionet, nëse ato shfaqen dhe rrjedhimisht grumbullohen në vazhdimësi”, thotë Trenovski.
Thesari i shtetit serb me rezerva 11.9 miliardë euro
Rezervat devizore neto të Serbisë në korrik u rritën me 613.9 milionë euro krahasuar me qershorin e vitit 2022. Banka Kombëtare e Serbisë publikoi të dhënat se në korrik Serbia kishte 11.9 miliardë euro rezerva shtetërore.
“Rritja e rezervave devizore është rezultat i aktivitetit të Bankës Popullore të Serbisë në tregun e brendshëm dhe blerjes së valutës në vlerë prej 403 milionë euro. Gjithashtu ka ndikuar shitja e letrave shtetërore me vlerë në tregun financiar, administrimi i rezervave devizore, donacionet dhe fonde të tjera në vlerë prej 314 milionë euro, si dhe fluksi neto i bazuar në rezervat e detyrueshme devizore të bankës me vlerë prej 264.2 milionë euro”, thuhet në njoftimin e BPS.
Një rritje prej mbi 13 përqind në BeH në një vit
Rezervat devizore të Bankës Qendrore të Bosnjë-Hercegovinës në prill 2022 arritën në 8.15 miliardë euro. Kjo është një rënie minimale nga një muaj më parë, por në nivel vjetor është një rritje prej 13.7 për qind.
“Ndikimin më të madh në uljen e nivelit të rezervave valutore e ka pasur bilanci negativ i blerjes dhe shitjes së markave të konvertueshme, i zakonshëm për tremujorin e parë. Në mars ka pasur edhe rritje të kërkesës për para të gatshme në euro, e cila ndikoi edhe më tej në uljen e rezervave devizore”, tha guvernatori Senad Softiq në një intervistë për mediat boshnjake.
Reduktim minimal në Mal të Zi
Rezervat devizore të Malit të Zi në maj 2022 arritën në 1.57 miliardë euro. Kjo është afërsisht e njëjta shumë si në mars 2022, kur u regjistruan 1.55 miliardë.
Në fund të vitit të kaluar 2021, Mali i Zi regjistroi një nivel të rezervave devizore prej 1.82 miliardë euro.
Shqipëria me 4.6 miliardë euro
Sipas ceicdata.com, e cila që nga viti 1992 publikon analiza të ekspertëve botërorë për ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim në 213 vende të botës, në Shqipëri rezervat devizore arritën në 4.6 miliardë euro në muajin prill. Në ndryshim nga muaji mars, kur arrinin në 4.5 miliardë lekë.
Shqipëria ka pasur nivelin më të lartë të rezervave devizore në nëntor 2021, e cila është ndikuar shumë nga rritja e vlerës së arit monetar, ndërsa më e ulëta ka qenë në mars 1994.
Kosova me rreth 1 miliard euro rezerva
Kosova në qershor kishte rezerva prej një miliard eurosh, aq sa në maj. Niveli më i lartë prej 1.1 miliardë euro u arrit në dhjetor 2021, dhe niveli më i ulët ishte 57.4 milionë euro në dhjetor të vitit 2000.