“Rezervuari i vetëm i oksigjenit në Gaza, brenda disa orësh mund të dalë jashtë funksionit”

Në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë u bë thirrje për ndihmë me karburant për të operuar pajisjet mjekësore në Rripin e Gazës

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza paralajmëroi kundër rrezikut të daljes nga funksioni të rezervuarit të vetëm të oksigjenit në qytetin e Gazës brenda pak orëve për shkak të mungesës së karburantit dhe njoftoi se kjo situatë vë në rrezik jetën e shumë pacientëve, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e ministrisë u bë thirrje për ndihmë me karburant për të operuar pajisjet mjekësore në Rripin e Gazës.

“I vetmi rezervuar i oksigjenit në qytetin e Gazës rrezikon të jetë plotësisht jashtë funksionit brenda pak orësh, gjë që në mënyrë të pashmangshme rrezikon jetën e dhjetëra pacientëve dhe të plagosurve”, thuhet në deklaratë.

Më tej thuhet se ilaçet rrezikohen të prishen për shkak të mungesës së karburantit të nevojshëm për të funksionuar gjeneratorin që siguron energji elektrike në rezervuarin e oksigjenit dhe frigoriferët ku ruhen ilaçet.

Sipas të dhënave të Zyrës për media të qeverisë në Gaza, ushtria izraelite ka vënë në shënjestër 160 institucione shëndetësore me sulmet dhe bastisjet e saj në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 dhe ka nxjerrë jashtë shërbimit 55 qendra shëndetësore dhe 33 spitale.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, u vranë 37.124 palestinezë, përfshirë të paktën 15.517 fëmijë dhe 10.279 gra, dhe 84.712 persona u plagosën. Ndërsa raportohet se ende ka mijëra të vrarë nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet gjithashtu duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit ishin strehuar.

Kategoritë
BotaLajme