Rihapja e çështjes së vizave, mbështetje nga Gjermania: Të mos shkohet në diskutime të mëtutjeshme, Kosova e ka merituar liberalizimin shumë kohë më parë

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor.

Kësisoj, Presidenca çeke e BE-së do të rihapë diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën gjatë muajit të ardhshëm.

Këtë e ka konfirmuar Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavský, i cili po ashtu ka bërë të ditur se këtë javë do të vijë për vizitë në Kosovë, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

E deputeti i Bundestagut gjerman, Thomas Hacker, ka thënë se Presidenca çeke në Bashkimin Evropian është duke bërë gjënë e duhur që po e përkrah procesin e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës.

Hacker ka thënë se raporti i Komisionit Evropian nuk duhet të çojë në diskutime të tjera të pafundme.

Ai ka përsëritur se Kosova e ka merituar liberalizimin e vizave shumë kohë më parë.

Pritet që tema e liberalizimit të vizave për Kosovën të jetë në tryezë në vjeshtë sapo Komisioni Evropian të finalizojë versionin e përditësuar të raportit vjetor.

“Prandaj, Presidenca Çeke po mbështet në faktin se nëse i ashtuquajturi përditësim teknik i raportit për gatishmërinë e Kosovës për liberalizimin e vizave, të cilin Komisioni Evropian aktualisht është duke e finalizuar, është i suksesshëm, kjo çështje do të merret sërish nga shtetet anëtare gjatë vjeshtës”, tha ministri çek.

Gjatë ditës së djeshme në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, nga Komisioni Evropian kanë thënë se “u takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ta çojnë përpara çështjen e liberalizimit të vizave”, dhe se KE i inkurajon ato që të vazhdojnë tutje me këtë proces.

Nga KE kanë bërë të ditur për Reporteri.net se edhe këtë vit do të prezantojnë raportin të shoqëruar me një përditësim teknik për çështjen e liberalizimit të vizave, dhe se aktualisht po punohet në këtë përditësim, i cili sipas KE-së është vetëm “një dokument teknik që paraqet gjendjen e përditësuar që lidhet me standardet e liberalizimit të vizave për ta mbështetur në Këshill”.

Nga KE kanë konfirmuar se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave dhe se nuk ka ndonjë kusht të ri për të ecur përpara me këtë proces. /Reporteri.net

Kategoritë
LajmeRajoni