Drejtori i Institutit EdGuard, Rinir Qehaja, në një bisedë me Ekonomia Online ka vlerësuar se rezultatet e testit TIMSS 2023 (Trends in International Mathematics and Science Study), tregojnë mungesë së cilësisë në mësimdhënie në shkollat në Kosovë
TIMSS është një vlerësim ndërkombëtar i realizuar nga Organizata Ndërkombëtare për Vlerësimin e të Arriturave në Arsim (IEA), që mat trendët e njohurive në matematikë dhe shkenca natyrore.
Qehaja theksoi se sistemi arsimor në Kosovë vazhdon të bazohet në mësimdhënie mekanike, e cila nuk nxit mendimin kritik dhe logjikën tek nxënësit.
“Përgjegjësisht çfarë do testi i standardizuar ndërkombëtarë përfshirë PISA por edhe ky i fundit TIMSS na gjenerojnë të njëjtin rezultat për arsye shumë të thjeshtë të mungesë së cilësisë në mësimdhënie. Dhe ekskluzivisht për shkak të një mësimdhënie shumë mekanike që ofrohet në shkollat tonë, andaj edhe ky rezultat nuk është befasuese por përgjegjësish është një vlerësim shumë valid dhe i besueshëm që duhet të jetë një rikujtim institucional për të gjithë për përgjegjësinë për ti korrigjuar problemet brenda sistemit arsimor dhe me zhvilluar një mësimdhënie që vërtet nxit logjikë, nxit mendimin kritik. Një mësimdhënie dhe mësimnxenje që ju shërben këtyre të rinjve dhe nxënësve për jetë”, ka thënë drejtori i EdGuard, një organizatë që merret me problemet e arsimit.
Qehaja për EO theksoi nevojën urgjente për ndërhyrje të drejtpërdrejtë brenda sistemit arsimor, duke shtuar se duhen ndryshime rrënjësore dhe konkrete brenda klasave.
“Intervenimi brenda sistemit arsimor është i domosdoshëm. Mirëpo jo intervenim vetëm me rishikim të legjislacionit ose me zhvillimi të dokumenteve strategjike, por intervenim i drejtpërdrejt në klasë. Dhe ato jo më qëllimi që të përmirësohet rezultati jonë në teste të standardizuara ndërkombëtare po me qëllimin e mirë si përgjigje që kemi karshi këtyre nxënësve që ti ofrohet një mësimdhënie cilësore që në të vërtetët u shërben atyre”, ka thënë ai.
TIMSS-vlerësimi ndërkombëtar për arritshmerinë e nxënësve të klasave të 4-ta është mbajtur në Kosovë në dy cikle tashmë, në 2019 dhe 2023. Me datë 4 Dhjetor 2024 u shpallën rezultatet e TIMSS 2023.
Të dhënat nga ky cikël vlerësimi tregojnë se Kosova vazhdon të mbetet vendi me arritshmërinë më të ulët ndër vendet e Ballkanit, si në matematikë ashtu edhe në shkencë. Në matematikë, Kosova shënoi 451 pikë në 2023, nga 444 pikë në 2019, dhe është ndjeshëm prapa vendeve si Serbia (523 pikë) dhe Shqipëria (512 pikë). Edhe Maqedonia e Veriut dhe Bosnja, pavarësisht rënieve të lehta në performancë, janë më mire se Kosova në këtë fushë. Në shkencë, situata është e ngjashme. Kosova regjistroi 403 pikë në 2023, duke pasur një ulje prej 10 pikësh nga 2019 (413 pikë).