Ndeshja mes Galatasarayt dhe Adana Demirspor në kampionatin turk u ndërpre në minutën e 30-të, pasi futbollistët mysafirë u larguan nga fusha në shenjë pakënaqësie ndaj vendimeve të gjyqtarit.
Reagimi i lojtarëve të Adanës u shkaktua kryesisht nga një penallti e akorduar për Galatasarayn, ku duket se nuk kishte aspak kontakt midis mbrojtësit të ekipit mysafir dhe lojtarit të ekipit të Stambollit.
Penalltia u shndërrua në gol nga spanjolli Alvaro Morata, i cili këtë dimër erdhi nga Milani në Galatasaray. Pak pas golit, lojtarët e Adanës u larguan nga fusha.
Paraprakisht, lojtarët u konsultuan me drejtorin teknik të klubit, pas së cilës Semir Guler dhe Tayfun Aydogan thirrën bashkëlojtarët në dhomat e zhveshjes.
Tani pritet vendimi i Federatës Turke të Futbollit për këtë ndeshje, por pothuajse është e sigurt që ajo do të regjistrohet me rezultatin 3-0 në favor të Galatasarayt.
Më herët gjatë ditës, Fenerbahçe gjithashtu siguroi një fitore në Superligë, duke mundur Alanyasporin në fushë të huaj me rezultatin 2-0, duke vazhduar kështu garën mes dy gjigantëve për titullin e kampionit të Turqisë.