Rodri dhe Morata dënohen nga UEFA pas thirrjeve nacionaliste gjatë festimeve pas triumfit në Euro 2024

Mesfushori i Manchester City, Rodri Hernandez dhe Alvaro Morata janë dënuar nga UEFA për thirrjet e tyre në lidhje me Gjibraltarin, teksa Spanja festoi triumfin në Euro 2024.

Dyshja spanjolle ishin në skenë para mijëra fansave, madje Rodri tha se nuk i interesonte, kur Morata i tregoi se jeton në Angli, me Gjibraltarin që njihet si një territor i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar.

Të dy yjet e Spanjës u dëgjuan qartë duke brohoritur “Gjibraltari është Spanjë”, duke udhëhequr kështu turmën e tifozëve.

Kjo shkaktoi një ankesë zyrtare nga Federata e Gjibraltarit dhe Kryeministri i Gjibraltarit gjithashtu pretendoi se thirrjet ishin të neveritshme, ndërsa tha se ishte një diskurs i ngjashëm me atë të diktatorit gjakatar spanjoll Francisco Franco.

Sipas gazetës Marca, të dy lojtarët janë dënuar me nga një ndeshje nga UEFA për ndeshjen e tyre të radhës zyrtare me La Roja në garat e UEFA-s.

Skuadra e Luis de la Fuente do të përballet me Serbinë më 5 shtator në ndeshjen hapëse të Ligës së Kombeve në Beograd, kështu që kjo pritet të jetë ndeshja kur të dy yjet do t’i mungojnë Spanjës.

Nuk është ende e qartë nëse dënimi do të apelohet. Arsyet për pezullimin ishin mospërmbushja e rregullave të përgjithshme të sjelljes, shkelja e rregullave bazë të sjelljes dinjitoze, përdorimi i ngjarjeve sportive për të bërë deklarata politike.

Kategoritë
LajmeSport