Roger Federer njofton pensionimin nga tenisi profesional

Federer, 20 herë kampion në Grand Slam, hyn në histori si një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave në tenis

Legjenda zvicerane Roger Federer, 20 herë kampion i turneve Grand Slam, njoftoi sot se do të tërhiqet nga tenisi profesional, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Laver Cup javën e ardhshme në Londër do të jetë eventi im i fundit në ATP. Do të luaj tenis edhe në të ardhmen, sigurisht, por jo në Grand Slams apo në turet (ATP)”, tha ai në një deklaratë të shpërndarë në Twitter.

“Jam 41 vjeç. Kam luajtur më shumë se 1.500 ndeshje gjatë 24 viteve. Tenisi më ka trajtuar më bujarisht sesa do të kisha ëndërruar ndonjëherë, dhe tani duhet të kuptoj se kur është koha për t’i dhënë fund karrierës sime konkurruese”, tha Federer.

I zmbrapsur nga problemet e gjurit dhe jashtë fushës që nga Wimbledon-i i vitit 2021, Federer tha se ai u përball me “sfida në formën e lëndimeve dhe operacioneve” gjatë tre viteve të fundit.

“Kam punuar shumë për t’u kthyer në formë të plotë konkurruese. Por unë gjithashtu i di kapacitetet dhe kufijtë e trupit tim, dhe mesazhi i tij për mua kohët e fundit ka qenë i qartë”, tha ai.

Duke filluar karrierën e tij profesionale në tenis në vitin 1998, Federer ka çimentuar statusin e tij si një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave të këtij sporti.

Vetëm dy tenistë të tjerë, Rafael Nadal nga Spanja dhe serbi Novak Gjokoviq, kanë më shumë fitore në Grand Slam për meshkuj sesa Federer.

Ikona zvicerane mban gjithashtu rekordin për më shumë tituj të Wimbledon me tetë kampionate të fituara.

“Ky është një vendim i hidhur, sepse do të më mungojë gjithçka që më ka dhënë turi. Por në të njëjtën kohë, ka shumë për të festuar”, tha ai.

“Më në fund, lojës së tenisit i them: Të dua dhe nuk do të të lë kurrë”, shkroi Federer.

Kategoritë
LajmeSport