Futbollisti legjendar portugez Cristiano Ronaldo dhe partnerja e tij Georgina Rodriguez kanë punësuar një shef të ri të sigurisë dhe kanë larguar anëtarët e mëparshëm të ekipit të mbrojtjes, për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tyre në Arabinë Saudite.
Ylli portugez, i cili jeton në kryeqytetin Riad me Georginën dhe pesë fëmijët e tyre, ka qenë i detyruar të përforcojë masat e sigurisë pas marrjes së disa kërcënimeve alarmante në rrjetet sociale – çka ka shkaktuar edhe ndërhyrjen e policisë.
Sipas mediave, çifti po shijonte një jetë të qetë dhe private që nga zhvendosja e Ronaldos në klubin Al Nassr në vitin 2023, por situata ndryshoi së fundmi për shkak të mesazheve shqetësuese në internet.
Për këtë arsye, Ronaldo ka punësuar Cláudio Miguel Vaz, një ekspert sigurie nga Portugalia, si truprojën kryesore të familjes – raportoi Marca.
Vaz, i ndjekur nga rreth 12.000 persona në Instagram, është i specializuar për sektorin privat dhe ka përvojë pune në lagje të vështira, ku ka ruajtur emra të njohur të skenës muzikore portugeze si reperi NGA. Ai ka punuar gjithashtu me futbollistët Rafael Leão dhe Gelson Martins.
Sidoqoftë, punësimi i tij nuk është pritur mirë nga disa persona të afërt me Ronaldon. Shumë prej tyre janë shprehur të shqetësuar për stil agresiv dhe frikësues të Vazit, i cili ndryshon dukshëm nga qasja e mëparshme e ekipit të sigurisë së Ronaldos.
Sipas raportimeve, Vaz ka treguar sjellje tepër agresive në të kaluarën. Gjatë një udhëtimi të fundit të Georginës në Paris, ai u përpoq të pengonte fotografët ndërsa ajo po dilte nga makina, duke përdorur një dritë të fortë elektrike për t’ua pamundësuar punën. Kjo sjellje shkaktoi kritika të ashpra në rrjetet sociale.
Pavarësisht shqetësimeve për përputhshmërinë e stilit të tij me imazhin e Ronaldos, duket se çifti po e merr shumë seriozisht çështjen e sigurisë së familjes së tyre në Riad.