Ronaldo ka qarë para ndeshjes mes Portugalisë dhe Ganës, shikoni një moment që rrallë shihet

Futbollisti portugez Cristiano Ronaldo është filmuar me lot në sy gjatë këndimit të himnit kombëtar të kombëtares së tij përpara ndeshjes së xhiros së parë të fazës së grupeve të Kupës së Botës në Katar kundër Ganës.

Ronaldo aktualisht është në momentin më të turbullt të karrierës së tij, sidomos pasi me marrëveshje të ndërsjellë ka ndërprerë kontratën me Manchester United dhe ka qenë shënjestër e kritikave të shumta nga figurat botërore dhe mediat për fjalët që ka drejtuar ndaj këtij klubi.

Përveç kësaj, ai më herët ka thënë se Botërori në Katar do të jetë Botërori i tij i lamtumirës me kombëtaren portugeze, ndaj nuk ka dyshim se e gjithë kjo ka ndikuar në reagimin e tij gjatë intonimit të himnit kombëtar.

Siç pritej, nuk u desh shumë kohë që mediat e shumta dhe faqet e njohura në rrjetet sociale të vënë re këtë detaj dhe të publikonin fotot dhe pamjet.

Interesante, Ronaldo sot u bë kapiteni i dytë në historinë e Kupës së Botës që drejton përzgjedhjen e tij pa pasur zyrtarisht një ekip. Para Ronaldos, kanadezi Bruce Wilson e bëri këtë në 1986.
Siç ka paralajmëruar edhe vetë, aktualisht është plotësisht i fokusuar në Botërorin e Katarit dhe pas përfundimit të paraqitjes në Botëror do të mendojë për një klub të ri dhe ambientin e radhës në të cilin do të luajë.

Kategoritë
Sport