Ronaldo ka zbuluar ëndrrën e madhe pas pensionimit

Kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, i cili sot feston ditëlindjen e 40-të, ka thënë se ëndrra e tij është të bëhet pronar i disa klubeve të futbollit.

Superylli portugez nuk ka dhënë ende asnjë indikacion për pension dhe vazhdon të përfaqësojë vendin e tij, si dhe të luajë për Al Nassr në Ligën Pro Saudite.

Megjithatë, ai zbuloi se nuk e sheh veten në një rol trajner apo drejtori, por përkundrazi dëshiron të jetë pronar klubi.

“Nuk ka shumë kuptim të jesh drejtor klubi. Nëse mund të jem pronar i klubit, pse do të isha menaxher, drejtor sportiv apo drejtor?”, deklaroi Ronaldo për Canal 11.

“Është ëndrra ime dhe jam i bindur që do të jem pronar i klubit. Dhe do t’ju them diçka tjetër: shpresoj që të mos kem vetëm një klub, por disa”, shtoi portugezi.

Nëse ai shkon në këtë rrugë, Ronaldo do të ndiqte gjurmët e emrit të tij të famshëm brazilian, i cili zotëron shumicën e aksioneve në skuadrën spanjolle Real Valladolid.

Yje të tjerë ish dhe aktual të futbollit që zotërojnë aksione në klube futbolli përfshijnë David Beckham dhe Kylian Mbappe.

Kategoritë
LajmeSport