Ronaldo krenar që do të luajë në Arabinë Saudite

Cristiano Ronaldo ka thënë se ndihet krenar që do të luajë në Arabinë Saudite me fanellën e skuadrës Al-Nassr. Në konferencën e parë për shtyp si lojtar i ekipit saudit të martën, Ronaldo insistoi se ka bërë vendimin e duhur në karrierën e tij.

Ai ka thënë se ka pasur shumë oferta nga mbarë bota, por vendosi për Al-Nassr, ekip ambicioz dhe me projekt të madh.

Ronaldo ka thënë se nuk i intereson se çfarë thonë të tjerët, pasi shtoi se liga e Arabisë Saudite është shumë e fortë dhe me ardhjen e tij, do të bëhet edhe më interesante dhe tërheqëse.

“Jam lojtar unik dhe për mua është normale që pasi kam thyer të gjitha rekordet në Evropë, të bëjë një gjë të tillë edhe në Arabinë Saudite. Kam ardhur këtu të fitoj, të luaj mirë dhe ta shijoj në maksimumin qëndrimin tim në Arabinë Saudite. Deri më tani, po ndihem shumë mirë. Jam krenar që e kam bërë këtë vendim të madh në jetën time si futbollist. Siç e potencuat, në Evropë puna ime përfundoi pasi kam luajtur në klubet më të mira dhe kam pasur suksese. Tani, jam në shtëpinë e re, pjesë e Al-Nassr dhe me padurim pres ta filloj këtë sfidë”, është shprehur Ronaldo.

“Po ashtu, ndihem shumë i lumtur dhe tejet krenar që jam pjesë e këtij ekipi dhe shpresoj t’i motivoj të tjerët. Familja më ka përkrahur në vendimin tim, të gjithë jemi të lumtur. Arritja këtu ishte fantastike, njerëzit na kanë pritur shumë mirë dhe jam krenar për pritjen e sauditëve. Për mua është një mundësi e artë jo vetëm në futboll por edhe ta ndryshoj mentalitetin e gjeneratës së re. Kam pasur shumë mundësi dhe oferta në klube të Evropës, pastaj Brazil, Australi, SHBA dhe Portugali u munduan të më transferonin, por ia dhashë fjalën klubit për ta ndihmuar në zhvillimin e futbollit në gjithë shtetit. Është një rast i mirë të ndihmojë me përvojën time për zhvillimin e futbollit dhe të ofrojë një vizion tjetër të shtetit saudit dhe futbollit. Për këtë arsye e kam shfrytëzuar këtë rast për të qenë këtu”, ka thënë ylli portugez.

Ronaldo u mirëprit me duartrokitje të mëdha dhe brohoritje të mëdha në sallën e konferencës.

Kategoritë
LajmeSport