Njëri nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave, Cristiano Ronaldo, priti Krishtlindjet me familjen në veri të skajshëm të Europës, larg Arabisë Saudite, ku jeton.
Ronaldo shfrytëzoi pushimin dimëror dhe ditët e lira për të shijuar veriun e Finlandës, në Laponi, ku dje u argëtua me gëzimet dimërore, notin në ujërat e akullta dhe “shoqërimin” me drerët.
Portugezi festoi Krishtlindjet atje, nga ku dërgoi urimet për të gjithë ndjekësit e tij me një foto të drekës festive bashkë me familjen.
“Pjesa më e rëndësishme e Krishtlindjeve,” shkroi Ronaldo në përshkrimin e fotos ku së bashku me partneren e tij, Georgina Rodriguez, dhe fëmijët, po shijon drekën e Krishtlindjeve.
Në tryezë ndodhej një pjatë tradicionale, gjel deti i pjekur, ndërsa e gjithë familja ishte veshur me kombinime të njëjta.
Nuk ka shumë kohë për pushim nga futbolli, pasi Ronaldo dhe familja së shpejti do të kthehen në Arabinë Saudite, pasi sezoni rifillon më 9 janar.
Ekipi i tij, Al-Nassr, në ndeshjen e parë të vitit 2025, do të presë Al-Okhdood. Ekipi aktualisht renditet vetëm në vendin e katërt pas 13 xhirove të zhvilluara dhe përballet me një detyrë pothuajse të pamundur për të luftuar për kreun, pasi lideri, Al-Ittihad, ka një avantazh prej 11 pikësh.