Rregullat e reja të tenderit për qiratë e plazheve, të cilat përfshijnë çmime tri herë më të larta, shkaktuan debate të ashpra midis qiramarrësve vendas dhe Qeverisë së Malit të Zi.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, tha për Radion Evropa e Lirë më 17 shkurt se, për shkak të vendimit të Qeverisë, ministrat nga Forumi Shqiptar do ta rishqyrtojnë pjesëmarrjen e mëtejshme në Qeveri deri në fund të muajit.
Rregullat e reja për dhënien me qira të plazheve u miratuan nga Qeveria e kryeministrit malazez, Millojko Spajiq, me gjithë kundërshtimet e komunave bregdetare dhe pa u konsultuar me ekonomistët.
Ai tha se qiratë e plazheve në Ulqin, deri më tani, ishin sa gjysma e atyre reale.
Kjo u pasua me një protestë të tri shoqatave të qiramarrësve ulqinakë, më 14 shkurt.
Përfaqësuesit e tyre e cilësuan vendimin e Qeverisë si goditjen më të madhe ekonomike për qytetin.
Radunoviqit i bënë thirrje që të kërkojë falje për cilësimin e gjithë sektorit si “kriminal”.
Ata i mbështeti edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu.
Vija bregdetare prej rreth 300 kilometrash është një nga burimet më të vlefshme të Malit të Zi. Nga dhënia me qira e saj, ky shtet pret këtë vit nga 15 deri në 30 milionë euro.
Ajo menaxhohet nga ndërmarrja publike “Të mirat detare”, e cila në tenderin e shpallur më 16 shkurt, u mundësoi pjesëmarrje edhe personave ndaj të cilëve janë duke u zhvilluar procedura ligjore.
Ministri Radunoviq tha se një veprim i tillë “e respekton Kushtetutën dhe prezumimin e pafajësisë”.
Radunoviq: Situata gjysmëmafioze
Bregdeti malazez ka 563 plazhe qytetesh, 70 plazhe hotelesh dhe rreth 1.500 objekte të përkohshme në zonën e “Të mirave detare”.
Duke shpallur tenderin për qiratë e tyre katërvjeçare, ministri Radunoviq tha se situata në këtë sektor është “gjysmëmafioze”.
“Deri më tani, 30 për qind [e qiramarrësve] kanë qenë nga qarqet kriminale, por bizneset janë drejtuar nga të afërmit e tyre – motrat, tezet”, tha Radunoviq më 12 shkurt.
Sipas tij, ka pasur raste kur “qiramarrësi ka paguar rreth 20 mijë euro për plazh dhe ka fituar një milion”, e gjithashtu edhe raste të rishitjes së qirasë.
Radio Evropa e Lirë kërkoi nga ministri Radunoviq që t’i shpjegojë këto pretendime.
“Të gjithë kemi qenë dëshmitarë të procedurave të vitit 2019 dhe presionit të ushtruar ndaj ofertuesve”, tha në përgjigje, pa dhënë detaje të tjera.
Atë vit në pushtet në Mal të Zi ishte Partia Demokratike e Socialistëve (DPS)
Por, ajo u shkarkua një vit më vonë, më 2020, dhe partitë e udhëhequra nga Fronti Demokratik, nga i cili është edhe ministri Radunoviq, morën pushtetin.
Kjo fushë, tashmë katër vjet, është nën juridiksionin e tyre.
“Përgjegjësia më e madhe për këtë situatë sigurisht që duhet të jetë e udhëheqjes së atëhershme të Ministrisë dhe ‘Të mirave detare’”, thanë nga kabineti i Radunoviqit, në përgjigje të pyetjes së Radios Evropa e Lirë se cila është përgjegjësia e tyre për situatën në këtë fushë.
Radio Evropa e Lirë ua dërgoi të njëjtën pyetje “Të mirave detare”, por nuk mori përgjigje.
As Prokuroria nuk e komentoi vlerësimin e ministrit për ndikimin e strukturave kriminale në dhënien me qira të plazheve.
Rasti i Ulqinit
Si problemin më të madh, Radunoviq e përmendi Ulqinin, ku, siç tha ai, qiratë paguheshin sa gjysma e sipërfaqes reale të plazheve.
Nga Ministria i thanë Radios Evropa e Lirë se nuk kanë reaguar në atë kohë për të mos e rrezikuar sezonin turistik dhe se kanë pritur që të skadojnë kontratat e qiramarrësve.
Xhavid Hoxhiq nga Shoqata e Pronarëve të Plazheve të Ulqinit thotë se ndryshimi në sipërfaqen katrore, ishte për shkak të llogaritjeve të ndryshme të gjerësisë së plazhit.
Më parë, gjerësia ishte rreth 46 metra, por tani është 76 metra dhe përfshin edhe pjesën e lirë të plazhit, shpjegon Hoxhiq për Radion Evropa e Lirë.
Kjo është një pjesë e plazhit që qiramarrësit duhet ta lënë të lirë për ata që nuk duan të përdorin mobiliet e plazhit.
Hoxhiq thotë se do të jetë e pamundur të bëhet biznes me çmimet e reja të qirave.
Për shembull, thotë ai, qiraja e plazhit prej 41 mijë eurosh vitin e kaluar, me rregullat e reja ka një çmim fillestar prej rreth 115 mijë eurosh.
Ai thekson se kjo është vetëm një pjesë e investimit, të cilit duhet t’i shtohen edhe përgatitjet për sezonin, mobilimi, shërbimet komunale e të tjera.
Ai i konsideron si të pasakta pretendimet se mund të bëhen miliona nga ky biznes.
Vitin e kaluar, çmimet për dy shezllone dhe shërbim në plazhet e Ulqinit shkuan deri në 20-25 euro.
“Këtu ka biznese familjare, njerëz që punojnë me gratë e tyre, fëmijët… Këto janë familje të nderuara, që punojnë shumë për të fituar para”, thotë Hoxhiq.
Mosmarrëveshje në Qeveri
Qiramarrësit i mbështeti edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu, i cili i dërgoi një letër kryeministrit Spajiq, në të cilën tha se Ulqini “po plaçkitet nga politika centraliste dhe antiqytetare”.
Sipas tij, vendimi i papritur dhe i fshehur i Qeverisë nuk e kishte pëlqimin e komunave bregdetare.
Edhe brenda vetë Qeverisë, jo të gjithë u pajtuan me vendimin për tender.
Ministrat nga radhët e Demokratëve nuk votuan, ndërsa kundër ishin zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Nik Gjeloshaj, dhe ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj.
Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, nuk votoi.
Në krah të qiramarrësve u rreshtuan edhe Dhoma e Tregtisë dhe Asociacioni i Komunave.
Qeveria e Malit të Zi ka qëndrime kontradiktore edhe për ndryshimet në Ligjin e të mirave detare, që aktualisht janë në proces.
Me këto ndryshime, menaxhimi i bregdetit do të kthehej në juridiksionin e qyteteve bregdetare.
“Një pjesë e madhe e këtyre qiramarrësve janë njerëz nga zona gjysmë gri dhe komunat vështirë se do të mund ta përballonin presionin nga ta”, tha Radunoviq.
Për iniciativën e tyre duhet të vendosë Kuvendi i Malit të Zi.