Rreth 3 mijë biznese u mbyllën gjatë pandemisë në Kosovë

Pandemia COVID-19 ndikoi që të mbyllen rreth 3000 biznese në Kosovë në dy vitet e fundit. Ndërsa vetëm në vitin 2021 janë shuar 1,519 biznese. Sipas ekspertëve të ekonomisë, faktorë të tjerë përveç pandemisë që kanë ndikuar që të shuhen një numër kaq i madh i bizneseve, është edhe mungesa e ofertës më të favorshme për të bërë biznes.

Numri më i madh i këtyre bizneseve që janë mbyllur kanë ushtruar veprimtari në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasuar nga hoteleria dhe akomodimi, si dhe industria përpunuese. Në listën e bizneseve të falimentuara figurojnë edhe biznese në fushën e ndërtimit.

Në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë tregojnë për KosovaPress se gjatë vitit 2020 kanë falimentuar 1346 biznese, ndërkaq më 2021 janë shuar 1519 ose 173 më shumë se në vitin 2020.

“Arsyeja e shuarjeve është kryesisht shuarje vullnetare”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi thekson se si rezultat i performancës së dobët ekonomike të bizneseve në vend, është rritur në vazhdimësi numri i kompanive të shuara.

Krasniqi shpreson se Qeveria e Kosovës do të miratojë një pako mbështetëse për bizneset si rrjedhojë edhe krizës energjetike në vend.

“Kosova si çdo shtet tjetër ka falimentim të bizneseve, dhe hapje të bizneseve të reja, kjo mund të ketë ndodhur edhe për shkak të pandemisë, dhe për shkak të pamundësisë së bizneseve që të afarojnë në këtë gjendje që nuk është e lehtë. Është gjendje shumë e rëndë, po shpresojmë të kemi një ofertë më të mirë të bizneseve, një trajtim më të mirë të të bërit biznes në mënyrë që të kemi edhe rritje ekonomike, rritje të punësimit dhe mirëqenie. Ne po shpresojmë që Qeveria do të dalë edhe me një program të përkrahjes së bizneseve për dëmet që është duke i shkaktuar edhe me goditjen e radhës, që është energjia elektrike”, theksoi Krasniqi.

Derisa ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj ka thënë se numri i bizneseve që janë të falimentuara është edhe më i lartë se ky prej rreth 3 mijë sosh të raportuara më shifra zyrtare.

Mulaj pohon se për shkak të procedurave të kërkuara nga shteti, mbi dhjetëra mijëra biznese nuk janë mbyllur e as nuk e ushtrojnë veprimtarinë e tyre biznesore, dhe kështu siç thotë ai, kanë mbetur pezull.

“Ky numër rreth 3 mijë biznese që janë mbyllur në këto dy vjet, një pjesë e tyre është për pasojë e pandemisë COVID-19, por edhe për pasojë e gjendjes së situatës ekonomike. Por, është edhe një numër i madh, mbi dhjetëra-mijëra biznese të cilat as nuk janë mbyllur, e as nuk e kanë filluar procesin e mbylljes së aktivitetit biznesor dhe realisht kanë mbetur pezull. Kështu që është një numër shumë i madh, dhe realisht ky numër i bizneseve të cilat edhe nuk e kanë mbyllur biznesin, por edhe nuk afarojnë në këtë kohë, i krijojnë problem jo vetëm Administratës Tatimore, por klimës së të bërit biznes në Kosovë, për shkak se potencialisht mund të rrisin edhe informalitetin në Kosovë”, thotë ai.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në dy vitet e fundit janë regjistruar gjithsej 19,863 biznese. Prej tyre, 9802 gjatë vitit 2020 ndërsa 10,061 në vitin e kaluar.

Kategoritë
BotaLajme