Rreth 35 mijë votues janë regjistruar nga jashtë Kosovës, afati mbyllet në më pak se dy javë

Më pak se dy javë kanë mbetur deri në përfundim të afatit për aplikim për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës.

Që nga 1 shtatori dhe deri më 13 dhjetor, sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë regjistruar rreth 35 mijë votues jashtë Kosovës.

Sipas Zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, numri më i madh i shtetasve janë regjistruar për të votuar përmes postës.

“Në bazë të të dhënave, deri më 13 dhjetor, në orën 21:30, pas aplikimit përmes platformës elektronike (http://diaspora.kqz-ks.org) janë aprovuar 34,757 kërkesa për regjistrim, ndërsa 2,150 janë refuzuar. Nga 34,757 aplikime të aprovuara, 8,942 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike 5,489 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 20,326 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, ka thënë Elezi.

Lidhur me rastet që deri më tani janë refuzuar, KQZ ka sqaruar se në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit.

“Nëse një shtetasi i refuzohet aplikimi, ky nuk është një refuzim përfundimtar, pasi i njëjti ka të drejtë të ri-aplikojë. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre dhe gjithashtu aplikuesit e refuzuar njoftohen se mund të ri-aplikojnë për regjistrim dhe të bashkëngjisin dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, ka thënë Elezi

Kategoritë
LajmeVendi