Rrihen mes vete dy këshilltarë komunalë të VV-së në Podujevë

Dy asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Podujevës janë rrahur mes vete në oborrin e objektit të komunës.

Gazeta Nacionale dhe medie të tjera raportojnë se asmablistët që janë rrahur mes vete fizikisht, janë Artrit Mulliqi dhe Ragip Fetahu.

Ata janë shoqëruar për në stacionin e Policisë së Kosovës në Podujevë për t’u marrë në pyetje.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Nacionale se rasti ka ndodhur në afërsi të objektit të komunës së Podujevës.

“Rreth orës 11:00 jemi informuar se ka një mosmarrëveshje në afërsi të objektit të komunës së Podujevës. Njësia policore ka dalë në vendngjarje ku për intervistim ka shoqëruar në stacion policor dy persona të përfshirë në këtë ngjarje e cila është duke u trajtuar në koordinim me prokurorin e shtetit”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Deri më tani, dyshimet e para që çuan në mosmarrëveshje dhe në rrahje fizike, kanë të bëjnë për emërimin e shefit të grupit të asamblistëve të VV-së në Kuvendin Komunal.

Më tej, në pozitën e shefit të grupit është emëruar Haki Rudari, teksa dyshohet se të njëjtën pozitë e ka synuar edhe Artirit Mulliqi, pozitë kjo që duket se ka qenë mollë sherri për rrahjen mes tyre.

Deri më tani policia nuk ka dhënë detaje për rastin në fjalë, pasi janë kontaktuar nga gazeta Nacionale.

Kujtojmë se në Podujevë kishte pasur përplasje politike edhe në të kaluarën, me kryetarin Shpejtim Bulliqi që kishte shkarkuar disa herë drejtorët e tij të Inspeksionit – mes tyre edhe Besnik Mulliqi (i cili nuk dihet nëse ka relacion familjar me Artritin). Po ashtu, Bulliqit i ishte larguar edhe Driton Veliu – drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale – derisa thuhej që arsyeja e vërtetë për këto lëvizje kishte qenë kandidatura e tij për kryetar të qendrës së VV-së në këtë komunë.

Bulliqi më pas ishte zgjedhur kryetar i qendrës së Vetëvendosjes në këtë komunë, por tashmë problematike po shihen edhe ndarjet e pozitave mes aktivistëve të partisë.

Kategoritë
LajmeVendi