Rritet në 16.170 numri i të vdekurve nga tërmetet në Turqi

Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6, epiqendra e të cilave ishte në provincën Kahramanmaraş, u ndjenë nga 13 milionë njerëz në 10 provinca

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, bëri të ditur se të paktën 16.170 persona humbën jetën dhe 64.194 të tjerë janë lënduar nga dy tërmetet e forta që goditën pjesën jugore të vendit, raporton Anadolu.

Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6, epiqendra e të cilave ishte në provincën Kahramanmaraş, u ndjenë nga 13 milionë njerëz në 10 provinca, duke përfshirë provincat Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanlıurfa.

Tërmetet u ndjenë në disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin.

Gjatë një vizite në provincën Gaziantep më herët gjatë ditës, presidenti Erdoğan u shpreh: “Shteti ynë ka qenë në terren me të gjitha institucionet e tij që nga momenti i tërmeteve”.

Sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), më shumë se 115.680 pjesëtarë të ekipeve të kërkim-shpëtimit janë duke punuar aktualisht në terren.

Gjithsej 28.044 njerëz u evakuuan nga rajonet e goditura nga tërmeti, tha AFAD në një deklaratë, duke përfshirë 23.437 persona që janë evakuuar me transport ajror.

Sipas AFAD-it, të evokuuarit po vendosen në zonat e akomodimit dhe bujtinat e përcaktuara nga zyrat e guvernatorëve provincialë nëpër gjithë Türkiye-n.

Ekipet e huaja në terren

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se 95 vende dhe 16 organizata ndërkombëtare kanë ofruar dërgimin e ndihmës në Türkiye, ndërsa shumë vende dërguan ekipe kërkimi dhe shpëtimi, mjekë, spitale në terren dhe materiale ndihme në rajonin e goditur nga tërmeti.

Duke folur në kryeqytetin Ankara, Çavuşoğlu tha se personele prej gjithsej 6.479 personash nga 56 vende janë aktualisht në terren.

“Ekipet nga 19 vende të tjera do të jenë në vendin tonë brenda 24 orëve”, shtoi ai në konferencën e përbashkët për media me Tahsin Ertuğruloğlu-n, homologun e tij nga Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC).

Ertuğruloğlu, nga ana e tij, tha se “zemra e çdo turku qipriot rrahë me Türkiye-n”.

Përveç ekipeve të shpëtimit, batanijeve, tendave dhe produkteve ushqimore, në terren u dërguan edhe ekipe të mbështetjes psikologjike.

Gjithsej 92.738 tenda familjare janë ngritur për të strehuar të mbijetuarit, njoftoi AFAD.

Në mënyrë shtesë, në zonën e fatkeqësisë janë dërguar 10.363 automjete, duke përfshirë ekskavatorë, traktorë dhe buldozerë.

Ekipet në Şanlıurfa dhe Kilis përfunduan operacionet e tyre të kërkimit dhe janë dërguar në provincat e tjera, tha AFAD.

Kategoritë
BotaLajme