Rritet në 18.342 numri i të vdekurve nga tërmetet e fuqishme në Türkiye

Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6, epiqendra e të cilave ishte në provincën Kahramanmaraş, u ndien nga 13 milionë njerëz në 10 provinca.

Të paktën 18.342 njerëz kanë humbur jetën dhe 74.242 të tjerë janë lënduar nga dy tërmetet e forta që goditën Türkiye-n jugore të hënën, njoftoi Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), raporton Anadolu.

Tërmetet e me magnitudë 7,7 dhe 7,6, epiqendra e të cilave ishte në provincën Kahramanmaraş, u ndien nga 13 milionë njerëz në 10 provinca, duke përfshirë provincat Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanlıurfa.

Tërmetet u ndien në disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin.

AFAD tha në një deklaratë se në terren aktualisht po punojnë më shumë se 121.128 pjesëtarë të ekipeve të kërkim-shpëtimit.

Gjithsej 75.780 njerëz janë evakuuar nga rajonet e goditura nga tërmeti, tha agjencia.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan tha dje se tërmetet në Türkiye-n jugore mund të përshkruhen si “katastrofa e shekullit” dhe se shteti ka mobilizuar të gjitha mjetet e tij për të ndihmuar të prekurit.

Për të inspektuar përpjekjet e kërkimit, shpëtimit dhe ndihmës, Erdoğan ka vizituar deri më tani provincat Kahramanmaraş, Hatay, Adana, Gaziantep, Osmaniye dhe Kilis, ku ka takuar të prekurit nga tërmetet.

Parlamenti turk dje miratoi gjendjen e jashtëzakonshme tremujore për të përshpejtuar përpjekjet e ndihmës.

Vendi po mban gjithashtu shtatë ditë zie kombëtare pas katastrofës.

Ngushëllime kanë ardhur nga e gjithë bota, duke shprehur solidaritet me Türkiye-n, ndërsa shumë vende kanë dërguar ekipe shpëtimi dhe ndihmë.

Kategoritë
BotaLajme