Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra tha se në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë në 24 orët e fundit kanë humbur jetën edhe 166 palestinezë
Me 166 viktima në 24 orët e fundit, është rritur në 9.227 numri i palestinezëve të vrarë në Rripin e Gazës të cilën Izraeli e mban nën bombardime intensive prej 28 ditësh, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra në një konferencë për media në Spitalin Al-Shifa, informoi lidhur me humbjet e jetëve dhe të plagosurve në rajon.
Al-Qudra tha se në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë në 24 orët e fundit kanë humbur jetën edhe 166 palestinezë.
Zyrtari palestinez vuri në dukje se në sulmet izraelite që nga 7 tetori e deri më tani numri i të vrarëve në Gaza ka arritur në 9.227 persona, përfshirë 3.826 fëmijë, 2.405 gra si dhe janë plagosur të paktën 23.516 persona.
Duke bërë të ditur ka ende njerëz nën rrënojat e ndërtesave të shembura në sulmet izraelite, Al-Qudra tha se në njësinë për personat e zhdukur janë bërë raportime për 2.100 persona, përfshirë 1.200 fëmijë.
Al-Qudra njoftoi se vazhdojnë sulmet e Izraelit drejt sistemit shëndetësor, duke shtuar se deri më sot janë vrarë 136 punonjës të shëndetësisë dhe se 25 ambulanca janë jashtë shërbimi.
Duke informuar se 102 institucione shëndetësore janë vendosur nën objektivin e Izraelit, Al-Qudra shtoi se për shkak të bombardimeve ose mungesës së karburantit kanë mbetur jashtë shërbimi 16 spitale dhe 32 qendra shëndetësore.
Zëdhënësi Al-Qudra më tej tha se për shkak të mbylljes së rrugëve mes veriut dhe jugut të Rripit të Gazës, Izraeli pengon daljen nga rajoni që të plagosurit në veri të Gazës të trajtohen në Egjipt.
Lidhur me mungesën e karburantit në spitale, Al-Qudra tregoi se në Spitalin Al-Shifa, kompleksin më të madh shëndetësor në Gaza ku ndodhen mijëra të plagosur dhe civilë, janë vënë në funksion gjeneratorët dytësorë dhe se operojnë vetëm departamentet që kanë rëndësi jetike.
Duke informuar se do të përpiqen të furnizojnë me energji elektrike 4 orë në ditë njësitë e mbështetjes në spital, Al-Qudra theksoi se mungesa e energjisë elektrike në departamentet ku qëndrojnë të sëmurët, e vështirësojnë ndjekjen e gjendjes së tyre dhe kryerjen e ndërhyrjes mjekësore.
Al-Qudra përsëriti thirrjen për dërgimin e karburantit për spitalet si dhe i bëri thirrje organizatave ndërkombëtare për “ndihmë urgjente para se të përjetohet ndonjë katastrofë humanitare”.
Ai gjithashtu rikujtoi se për shkak të mungesës së karburantit dhe sulmeve, ka dalë jashtë përdorimit Spitali i Miqësisë Türkiye-Palestinë, qendra e vetme në të cilën trajtohet të sëmurët me kancer në Rripin e Gazës.
Al-Qudra vuri në dukje mungesat në shërbimet shëndetësore dhe bëri thirrje për karburant, ndihmë urgjente mjekësore dhe ekipe shëndetësore për shpëtimin e mijëra të sëmurëve dhe të plagosurve.