Një grup i aktivistëve të shoqërisë civile në Shqipëri, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, kanë publikuar rezultatet e anketës kombëtare me fokus evidentimin e sfidave dhe problematikave me të cilat përballen ë rinjtë në Shqipëri.
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Rinisë, ku institucione dhe organizata të ndryshme të shoqërisë civile organizojnë aktivitete dhe prezantojnë studime dhe raporte mbi sfidat dhe problematikat me të cilat përballen të rinjtë, raporton Anadolu Agency (AA).
Një grup i aktivistëve të shoqërisë civile në Shqipëri, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, kanë publikuar online rezultatet e anketës kombëtare me temë “Rinia: Regres apo Progres”, me fokus evidentimin e sfidave dhe problematikave me të cilat përballen çdo ditë të jetesës së tyre të rinjtë në Shqipëri.
Në këtë anketim kombëtar morën pjesë mbi 600 të rinj të grupmoshës 15-29 vjeç në mbarë vendin, ku janë pyetur për situatën e rritjes së çmimeve, angazhimin e tyre për proceset zgjedhore, institucionet arsimore dhe tema të tjera.
Sipas rezultateve të anketës, 97 për qind e të rinjve të anketuar shprehen se rritja e çmimeve ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në mirëqenien e tyre.
Gjithashtu theksohet se 89 për qind e të rinjve e kanë shumë të vështirë dhe pothuajse të pamundur përballimin e kostove të jetesës.
Ndërkohë, të rinjtë janë pyetur edhe për proceset zgjedhore, ku 40 për qind e të rinjve të anketuar shprehen se nuk do të shkojnë të votojnë në zgjedhjet vendore 2023 dhe se 29 për qind e tyre janë ende të pavendosur për të votuar.
Anketimi “Rinia: Regres apo Progres?” kishte si qëllim evidentimin e sfidave dhe problematikave me të cilat të rinjtë shqiptarë përballen çdo ditë dhe synon të sjellë në vëmendje të institucioneve të gjitha problematikat dhe sfidat me të cilat përballen të rinjtë në Shqipëri, sipas organizatorëve, duke nxitur në një dialog të qëndrueshëm pushtetin qendror dhe atë lokal me fokus ligjet, politikat dhe strategjitë për të rinjtë.
Dita Ndërkombëtare e Rinisë që shënohet më 12 gusht është caktuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1999 si një mundësi për qeveritë për të tërhequr vëmendjen për çështjet mbi të rinjtë në mbarë botën. Këtë vit shënohet me temën “Solidaritet midis brezave si çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm”.