Rrudhet ekonomia gjermane, OECD: Lufta në Ukrainë rrezikon recesion në Evropë

Lufta në Ukrainë rrezikon që të sjellë probleme të forta për ekonominë më të madhe evropiane, Gjermaninë. Sipas parashikimeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Gjermania mund të kalojë në recesion gjatë vitit 2023.

Lufta në Ukrainë ka gjasë të ndikojë më shumë se sa ishte parashikuar në ekonominë botërore. Problemet energjitike dhe furnizimi me lëndë të parë që vinte nga vendet ndërluftuese do të ndikojë në ekonominë botërore duke rrezikuar edhe recesion në Evropë.

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik njoftoi në raportin e saj se kishte ulur parashikimin e saj të rritjes për ekonominë globale në 2.2 përqind për vitin, 2023 nga një vlerësim i mëparshëm që ishte 2.8 përqind.

“Ekonomia botërore po paguan një çmim të lartë për luftën e paprovokuar, të pajustifikueshme dhe të paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës,” shkruajnë ekspretët në raportin e tyre për perspektivën ekonomike botërore.

Rajoni që preket më shumë nga kjo luftë është Eurozona, dhe Gjermania pritet t’i ndjejë më fortë pasojat e luftës.

Sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, ekonomia e eurozonës prej 19 anëtarësh do të rritet me vetëm 0.3 për qind vitin e ardhshëm, me Gjermaninë që do të përballet me recesion dhe Mbretërinë e Bashkuar me rritje zero.

Italia, e cila të dielën zgjodhi qeverinë e saj të parë të ekstremit të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore, do të ketë rënie me 0.4 përqind në 2023-shin. Franca do të ketë rënie 0.6 për qind, parashikon OECD.

Ndërkohë, ekonomia e Rusisë do të tkurret me 4,5 për qind të tjera pas tkurrjes me 5,5 për qind në vitin 2022, duke u bërë një nga ekonomitë që e vuan më së shumti luftën dhe sanksionet perëndimore.

Të ardhurat reale globale mund të jenë pothuajse 3 trilion dollarë më të ulëta se sa pritej një vit më parë, pasi lufta në Ukrainë dhe pandemia Covid-19 ka ndikim të fortë në ekonominë botërore dhe zinxhirët e furnizmit.

Kategoritë
Ekonomi