“Rruga e Kombit” si pistë garash – Radari kap shoferë me 191 km/h, pezullohen 82 leje

Polcia rrugore në Shqipëri ka njoftuar se vetëm gjatë ditës së djeshme në vend janë pezulluar 82 leje drejtimi.

Gjatë paradites së djeshme deri në orët e vona të mbrëmjes, makina inteligjente dhe radari automatik kanë skanuar shpejtësi 100 km/h në rrugën Milot – Rrubik, si dhe nga 145 km/h deri në 191 km/h, në Rrugën e Kombit.

Përveç 82 lejeve të drejtimit të pezulluara, janë vendosur dhe 156 masa administrative, për shpejtësi nga 20 deri në 30 km/h mbi normën e lejuar, pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit, shkruan Shqip.

Gjithashtu, gjatë monitorimit janë konstatuar shumë drejtues mjetesh, të cilët, krahas qarkullimit me shpejtësi përdornin aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit, si dhe nuk kishin vendosur rripin e sigurimit, konkretisht:

– 39 drejtues mjetesh, krahas qarkullimit me shpejtësi mbi normën e lejuar, janë ndëshkuar edhe për mosvënie të rripit të sigurimit;

– 54 drejtues mjetesh, krahas qarkullimit me shpejtësi mbi normën e lejuar, janë ndëshkuar edhe për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit, si dhe

– 35 drejtues janë evidentuar duke i kryer të treja shkeljet njëkohësisht, qarkullim me shpejtësi mbi normën e lejuar, mosvënie të rripit të sigurimit, si dhe përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit. Masat administrative për këta drejtues mjetesh, kanë variuar nga 30.000 lekë të rinj deri në 100.000 lekë të rinj.

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi Policia Rrugore nuk është në aksion por është në punë 24/7, vetëm me qëllimin madhor, parandalimin e aksidenteve rrugore.

Kategoritë
LajmeVendi