Rrugë pa kthim: Djali i një zyrtareje të lartë të CIA-s vritet duke luftuar për Rusinë në Ukrainë

Amerikani Michael Alexander Gloss ka nënshkruar një kontratë me Ministrinë ruse të Mbrojtjes dhe është vrarë në luftën kundër Ukrainës në vitin 2024, ka zbuluar portali hulumtues IStories.

Nëna e tij, Julianne Gallina Gloss, është zëvendësdrejtore për inovacione digjitale në Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas IStories, Gloss kishte nënshkruar kontratë me Forcat e Armatosura të Rusisë, gjë që u zbulua përmes analizës së të dhënave nga sistemi unik mjekësor informaciono-analitik (EMIAS), i cili u bë publik pas një rrjedhjeje të të dhënave. Punonjësit e një qendre rekrutimi në Moskë kishin regjistruar emrin e Glossit në këtë bazë të dhënash më 5 shtator 2023.

Si adresë banimi – njësoj si për qindra rekrutë të tjerë të huaj – ishte shënuar adresa e qendrës së rekrutimit në Moskë: Rruga Jabloçkova nr. 5, ndërtesa 1, banesa nr. 302. Po kjo është edhe dhoma ku zhvillohen ekzaminimet mjekësore për rekrutët.

Sipas një burimi të IStories që njihte mirë Glossin, ai ishte dërguar në njësi sulmuese në dhjetor të vitit 2023. Në atë periudhë, njësitë e Regjimentit të 137-të vepronin në veriperëndim të Soledarit, në rajonin e Donetskut.

Gloss u vra më 4 prill 2024 — familja e tij e ka konfirmuar këtë informacion në një nekrologji. Rrethanat e sakta të vdekjes së tij nuk janë të njohura. Sipas të dhënave të agjencisë funerale, ai është varrosur në SHBA tetë muaj pas vdekjes së tij.

Michael Gloss është një nga mbi 1.500 të huaj që kanë kaluar nëpër qendrën ruse të rekrutimit gjatë luftës në Ukrainë, dhe identiteti i të cilëve është verifikuar nga IStories. Në total, në anën e Rusisë janë duke luftuar mercenarë nga 48 vende – përfshirë edhe shtete të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kategoritë
BotaLajme