Disa e kursejnë, e disa edhe e paguajnë. Por, shumica e qytetarëve në veri të Kosovës thonë se ende nuk janë krijuar kushtet për të paguar energjinë elektrike.
Sava nga Mitrovica e Veriut thotë për Radion Evropa e Lirë se “nuk e kam ndërmend ta bëj një gjë të tillë”, pasi, siç thotë ai, nuk janë zëvendësuar matësit e energjisë elektrike në ndërtesën ku jeton.
“Nuk duhet paguar derisa Elektrosever të zëvendësojë matësit, që gjithçka të nivelizohet dhe të vendoset që bilanci të jetë zero. Askush nuk i shmanget pagesave, por kjo çështje duhet të rregullohet”, thotë Mirko.
Viti 2024 është i pari kur qytetarët e katër komunave me shumicë serbe kanë filluar të pranojnë fatura për energjinë e konsumuar. Megjithatë, niveli i pagesës mbetet i ulët.
Sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji të Kosovës (ZRRE), nga totali prej 12 milionë eurosh për energjinë elektrike të harxhuar nga shkurti deri në nëntor të vitit 2024, qytetarët e komunave Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan kanë paguar mbi 2 milionë euro.
ZRRE-ja gjithashtu njoftoi se sivjet është shënuar një ulje prej 33% në konsumimin e energjisë krahasuar me vitin e kaluar.
Një nga konsumatorët, Violeta nga Mitrovica e Veriut, thotë se ka filluar ta kursejë energjinë për shkak të detyrimit për pagesë.
“Nga ora 10 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit është tarifa e lirë, dhe unë i kushtoj shumë vëmendje kësaj”, thotë ajo.
Si erdhi deri te fillimi i pagesës së energjisë elektrike në veri?
Qytetarët e veriut të Kosovës nuk kishin paguar për energjinë elektrike që nga viti 1999. Për shumë vite, borxhi i tyre është mbuluar nga qytetarët e pjesëve tjera të Kosovës dhe më vonë nga KOSTT-i (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut) dhe grante të Qeverisë së Kosovës.
N vitin 2023, KOSTT-i u lirua nga detyrimi për të mbuluar këto humbje, falë një vendimi të ZRRE-së. Vendimi erdhi pasi kompania serbe Elektrosever mori përsipër furnizimin dhe faturimin e konsumatorëve në veri, sipas një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Elektrosever është një kompani në pronësi të Elektroprivreda Srbije (EPS), e cila është e regjistruar në Kosovë sipas ligjeve të Kosovës. Kompania nisi shpërndarjen e faturave në fillim të vitit 2024 dhe ka filluar vendosjen e matësve të mençur, proces që ende nuk ka përfunduar
Nga Kompania Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë (KEDS) dhe Elektrosever-i nuk janë përgjigjur se sa njehsorë janë vendos deri më tash.
Por, ZRRE-ja tha se në veri ka rreth 24 mijë konsumatorë, nga të cilët 600 ende nuk kanë matës elektrikë.
Ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, e konsideron pagesën prej mbi 2 milionë eurosh si shumë të ulët krahasuar me konsumin.
“Energjia është një mall që është plasuar në treg, është parim evropian, botëror dhe çfarëdo qoftë, malli në treg duhet të paguhet. Le të eliminohen rastet sociale, familjet me kushte të vështira ekonomike, por mospagesa nga familjet dhe bizneset që përdorin energjinë është e papranueshme dhe diskriminuese ndaj konsumatorëve tjerë që paguajnë”, thotë Çeku për Radion Evropa e Lirë.
Çeku thotë se ZRRE-ja duhet të kërkojë nga kompania Elektrosever që të gjejë forma për të rritur nivelin e pagesave në atë pjesë.
Formë tjetër ai përmend edhe trysninë përmes faktorit ndërkombëtar.
Konsumatorët në pjesë tjera të Kosovës, që pranojnë faturat energjisë se shpenzuar nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) duhet të paguajnë deri 15 ditë nga data e pranimit të faturës.
Kurse për rikyçje në rrjet konsumatorët duhet të paguajnë edhe kosto shtesë prej 17.70 eurosh.
Ndërkohë, në jug të Ibrit janë bërë thirrje të vazhdueshme për kursimin e energjisë për shkak të temperaturave të ulëta dhe kërkesës së lartë për energji. KEDS dhe KESCO kanë raportuar se kërkesa për energji elektrike ka arritur në nivele historike.