Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë opsione të ndryshme në lidhje me situatën në Bosnje dhe Hercegovinë, por se është e qartë që nuk duhet të vijë deri te shpërbërja e vendit dhe një konflikt i ri.
“Nuk duam ndarje atje… Gjëja e fundit që na duhet është një krizë tjetër, dhe ne tashmë jemi shprehur qartë për këtë çështje”, tha Rubio për Zërin e Amerikës, kur u pyet të komentonte deklaratën e tij të mëparshme se “veprimet e presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj”.
Autoritetet e Republikës Srpska, të udhëhequra nga Dodik, duke kërcënuar me shkëputje, kanë tentuar të ndalojnë funksionimin e institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe policisë në territorin e këtij entiteti.
“Për sa i përket veprimeve të mundshme të ardhshme, ne po shqyrtojmë opsione të ndryshme, por ajo që është absolutisht e qartë, pavarësisht dallimeve të mundshme mes nesh, është se kjo situatë (në BiH) nuk duhet të çojë në shpërbërjen e vendit dhe as në një konflikt të ri”, tha Rubio.
Sekretari i Shtetit shprehu shpresën se SHBA-ja mund të ndihmojë në parandalimin e një konflikti të ri në Evropë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi të hënën në Sarajevë se Aleanca nuk do të lejojë që paqja e fituar me vështirësi në Bosnje dhe Hercegovinë të vihet në rrezik dhe që në vend të krijohet një boshllëk sigurie.