Rubio: Trump mund t’i japë fund konfliktit Rusi-Ukrainë, takimi me Putinin varet nga përparimi

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, theksoi se takimi Trump-Putin nuk do të ndodhë derisa “të dimë se për çfarë do të jetë takimi”, duke shtuar se koha e një takimi të tillë varet nga përparimi në përfundimin e luftës në Ukrainë

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u shpreh se presidenti Donald Trump është “i vetmi lider global për momentin” që mund t’i japë fund konfliktit Rusi-Ukrainë, por një takim i mundshëm me presidentin rus Vladimir Putin do të varet nga përparimi në përfundimin e luftës, transmeton Anadolu.

Në një intervistë të postuar në internet këtë mëngjes, Rubio tha se Trump dëshiron t’i japë fund luftës me Ukrainën dhe dëshiron të testojë angazhimin e Rusisë për këtë.

SHBA-ja duhet të ketë “ndonjë komunikim” me Rusinë, dhe mënyra e vetme për ta vlerësuar këtë është përmes angazhimit të drejtpërdrejtë me Rusinë, tha ai në një përgjigje të pyetjes së gazetarëve.

Rubio theksoi se takimi Trump-Putin nuk do të ndodhë derisa “të dimë se për çfarë do të jetë takimi”, duke shtuar se koha e një takimi të tillë varet nga përparimi në përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Përgjithësisht nuk ndodhin këto takime derisa të dini ndonjë rezultat, ose derisa të jetë bërë ndonjë përparim”, shtoi ai.

Nëse arrihet përparim dhe takimi vulos marrëveshjen, Rubio tha se “të gjithë duhet të festojnë që presidenti Trump është një paqebërës”, duke shtuar se Trump është “i vetmi lider global tani që mund ta bëjë këtë”.

– Trump “me të drejtë” i mërzitur nga Zelenskyy

Pas zënkës verbale të liderëve Trump dhe Zelenskyy këtë javë, Rubio e mbështeti Trumpit, duke thënë: “Unë mendoj se Presidenti Trump është shumë i mërzitur nga presidenti Zelenskyy, dhe me të drejtë.”

Rubio në veçanti tha se është kundërproduktiv pretendimi i Zelenskyy-t se Trumpi “po jeton në një botë dezinformimi”.

“Nuk është se ne nuk na intereson Ukraina, por Ukraina është në një kontinent tjetër”, tha ai, duke shtuar:

“Kjo nuk ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të amerikanëve. Ne kujdesemi për këtë sepse ka implikime për aleatët tanë dhe në fund të fundit, për botën. Duhet të ketë një nivel mirënjohjeje këtu për këtë, dhe kur nuk e shihni këtë mirënjohje dhe e shihni atë duke akuzuar presidentin se jeton në një botë dezinformimi, kjo është shumë, shumë kundërproduktive”.

Ai gjithashtu akuzoi Zelenskyy-n për keqtrajtim të një diskutimi që kishin lidhur me propozimin e Trumpit që SHBA-ja duhet të marrë një pjesë të pasurisë minerale të Ukrainës në këmbim të mbështetjes së saj.

“Ne diskutuam këtë çështje në lidhje me të drejtat e mineraleve dhe u shpjeguam atyre, shikoni, ne duam të jemi në një sipërmarrje të përbashkët me ju, jo sepse ne po përpiqemi të vjedhim nga vendi juaj, por sepse ne mendojmë se kjo është në të vërtetë një garanci sigurie”, tha Rubio, duke shtuar:

“Nëse ne jemi partneri juaj në një përpjekje të rëndësishme ekonomike, ne do të kthejmë një pjesë të parave që taksapaguesit kanë dhënë, afërsisht 200 miliardë dollarë. Dhe pastaj do të kemi një interes të veçantë në sigurinë e Ukrainës. Dhe ai tha, sigurisht, ne duam ta bëjmë këtë marrëveshje, është kuptimplotë, e vetmja gjë është që unë duhet ta kaloj atë në procesin tim legjislativ, ata duhet ta miratojnë”.

Rubio më pas u shpreh se më pas e ka lexuar Zelenskyy-n të ketë thënë se e ka refuzuar marrëveshjen. “Epo, kjo nuk ndodhi në atë takim”, u shpreh Rubio.

Presidenti ukrainas ende nuk i është përgjigjur komenteve të Rubios për takimin.

Kategoritë
BotaLajme