Rubio: Trump propozoi zhvendosje të përkohshme të palestinezëve për rindërtim të Gazës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dëshiron që palestinezët të largohen nga Gaza vetëm përkohësisht, përderisa ajo zonë të rindërtohet, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, të mërkurën.

Një ditë më parë, presidenti amerikan Trump nxiti regime të shumta kur propozoi, gjatë një takimi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, që Shtetet e Bashkuara ta merrnin kontrollin e Gazës së shkatërruar nga lufta.

Ideja e Trumpit “nuk ishte menduar si armiqësore. Ajo ishte menduar, mendoj, si një lëvizje shumë bujare, një ofertë për të rindërtuar dhe për të qenë në krye të rindërtimit”, tha Rubio për gazetarët gjatë një vizite në Guatemala.

Trump ofroi një “gatishmëri të SHBA-së për të ndërhyrë, për të pastruar rrënojat, për të pastruar zonën nga gjithë shkatërrimi në terren, për ta pastruar nga të gjitha municionet e pashpërthyera”, tha Rubio.

“Dhe, gjatë kësaj kohe, njerëzit që jetojnë atje nuk do të mund të jetojnë atje përderisa ekipet e punës hyjnë dhe heqin mbeturinat”, shtoi ai.

Rubio tha se Trumpi dëshiron ta mbështesë “rindërtimin e shtëpive, bizneseve dhe gjërave të kësaj natyre, në mënyrë që më pas njerëzit të mund të kthehen”.

Një ditë më parë, Trump kishte thënë se “SHBA-ja do të marrë nën kontroll Rripin e Gazës dhe do të bëjmë diçka me të. Do ta zotërojmë atë”.

Propozimi i tij për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza kishte shkaktuar kundërshtime si nga kundërshtarët, ashtu edhe nga aleatët e SHBA-së.

Propozimi kishte nxitur shqetësime se mund të rrezikohet marrëveshja e brishtë e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, që ka udhëhequr Gazën që nga viti 2007.

Liderë të OKB-, organizatave Human Rights ëatch dhe Amnesty International, si dhe liderët e Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Arabisë Saudite, Kinës e Rusisë, ndër shumë të tjerë, kishin kritikuar publikisht planin.

Një vlerësim i dëmeve i bërë nga Kombet e Bashkuara i publikuar këtë muaj, tregoi se pastrimi i mbi 50 milionë tonë rrënojave të mbetura si pasojë e bombardimeve të Izraelit, mund të zgjasë 21 vjet.

Kategoritë
BotaLajme