Rusët ikin nga Khersoni, i frikësohen ofensivës ukrainase

Dhjetëra mijëra civilë dhe zyrtarë të emëruar nga Rusia po largohen nga rajoni jugor Kherson i Ukrainës, pasi i frikësohen ofensivës ukrainase, thotë udhëheqësi lokal i instaluar nga Rusia.

Vladimir Saldo tha se të gjitha departamentet dhe ministritë e emëruara nga Rusia do të largohen dhe se do të kalojnë lumin Dnieper.

Rreth 50-60,000 civilë do të largoheshin gjithashtu në një “zhvendosje të organizuar, graduale”, tha ai më herët, shkruan BBC.

Nga ana e tij kreu i administratës rajonale në Kherson tha se Rusia dëshiron të marrë peng civilët.

Transferimi ose dëbimi i civilëve nga një fuqi pushtuese nga territori i pushtuar konsiderohet krim lufte.

Në një fjalim të veçantë sot, Vladimir Putin tha se kishte nënshkruar një dekret për vendosjen e ligjit ushtarak në katër rajone të Ukrainës, duke përfshirë Kherson, të cilin Moska e aneksoi muajin e kaluar nëpërmjet referendumeve, të cilat u cilësuan nga perëndimi të rreme.

Ai i tha Këshillit të Sigurimit të Rusisë se do t’u jepte liderëve rajonalë kompetenca shtesë për të ruajtur rendin shoqëror dhe për të mbrojtur objektet e rëndësishme.

Mbrëmjen e së martës, banorët në Kherson filluan të merrnin mesazhe me tekst, duke u kërkuar atyre që të evakuoheshin menjëherë për të shmangur bombardimet e zonave të banuara nga forcat ukrainase.

Në mesazhe thuhej se transporti përtej lumit Dnipro do të bëhej nga ora 07:00 e së mërkurës.

“Atyre u thuhet të evakuohen sepse ukrainasit e këqij do të bombardojnë qytetin,” tha një banor për BBC, duke kërkuar të mbetet anonim.

“Njerëzit janë në panik për shkak të propagandës”.

Pamjet televizive ruse të mërkurën treguan një numër njerëzish që mblidheshin pranë bregut perëndimor të Dniepe, ndërsa ishin në radhë për varkat, nuk ishte e qartë se sa persona po largoheshin.

Kategoritë
BotaLajme