Rusia akuzon Britaninë për përfshirje në sulmin ndaj flotës së Detit të Zi dhe tubacioneve të gazit

“Ne do të mendojmë për hapat e mëtejshëm… Do të bëjmë atë që duhet të bëjmë”, tha zëdhënësi i Kremlinit

Kremlini tha se inteligjenca ruse ka informacion në lidhje me përfshirjen e Londrës në sulmet ndaj tubacioneve të gazit Nord Stream dhe flotës së saj të Detit të Zi në portin e Sevastopolit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Shërbimet tona speciale… kanë prova se udhëheqja dhe koordinimi i sulmit në Gjirin e Sevastopolit është kryer nga konsulentët ushtarakë britanikë”, tha zëdhënësi Dmitry Peskov në një konferencë shtypi në Moskë.

“Ekzistojnë gjithashtu prova se Britania është e përfshirë në sabotim … një akt terrorist në infrastrukturën kritike të energjisë, tubacionet Nord Stream”, deklaroi ai.

Moska pret që pavarësisht heshtjes, kryeqytetet evropiane të analizojnë informacionin mbi përfshirjen e Londrës në sulmin ndaj tubacioneve të gazit Nord Stream, tha Peskov.

“Ne nuk mund t’i lëmë kot veprimet e tilla. Ne do të mendojmë për hapat e mëtejshëm… Do të bëjmë atë që duhet të bëjmë” theksoi ai.

Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Türkiye dhe OKB-ja për eksportin e drithit ukrainas, pas asaj që Moska i quan sulme ndaj flotës së saj në Detin e Zi.

Në shtator, pati rrjedhje në tubacionet e gazit natyror Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, të cilat, sipas hetimeve, u shkaktuan nga një seri shpërthimesh që besohet se ishin “sabotim i qëllimshëm”.

Gazsjellësi Rrjedha Veriore u ndërtua nga kompania shtetërore ruse e gazit Gazprom për shpërndarjen e gazit natyror nga Rusia në Gjermani përmes Detit Baltik.

Rrjedhjet përkuan me hapjen e tubacionit Baltik, për të dërguar gaz natyror nga Deti i Veriut përmes Danimarkës në Poloni.

Kategoritë
BotaLajme