Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës shpalli vendimin për presidentin e Republikës Sërpska, Milorad Dodik, dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së, Miloš Lukić, të cilët ishin akuzuar për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë, Christian Schmidt. Dodik u shpall fajtor, ndërsa Lukić u lirua nga akuzat.
Milorad Dodik u dënua me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim të mbajtjes së funksioneve politike. Ky është një vendim i shkallës së parë ndaj të cilit mund të bëhet apel. Dodik mund të dënohej me nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burg, si dhe me një ndalim dhjetëvjeçar për të mbajtur poste politike. Prokuroria kishte kërkuar dënimin maksimal.
Dodik dhe Lukić u akuzuan sepse në vitin 2023 zbatuan vendimin e Asamblesë Kombëtare të RS-së për të mos publikuar vendimet e Schmidt-it në Gazetën Zyrtare të RS-së. Schmidt e anuloi këtë ligj, por Dodik e nënshkroi gjithsesi, ndërsa Lukić e publikoi, gjë që përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar e cilësoi si vepër penale.
Rusia: Ky vendim do të ketë pasoja të dëmshme për situatën në BiH dhe në gjithë rajonin
Ministria e Jashtme e Rusisë deklaroi se vendimi i sotëm i Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës për dënimin e presidentit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, “do të ketë pasoja të dëmshme për situatën në BiH dhe në gjithë rajonin”, raporton N1.
Nga Ministria e Jashtme e Rusisë theksuan se “akuzat kundër presidentit të zgjedhur ligjërisht të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, dhe në fakt kundër të gjithë popullit serb, bazohen në dispozitat e një pseudo-ligji që i është imponuar Bosnjës dhe Hercegovinës nga një përfaqësues i lartë i vetë-emëruar, Christian Schmidt, i cili vepron jashtë çdo kuadri ligjor”.
“Rusia, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe si shtet garantues i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, e sheh të nevojshme të paralajmërojë palët e përfshira në procesin e zgjidhjes pas konfliktit në BiH, shtetet e rajonit dhe opinionin botëror për pasojat e pashmangshme të këtij vendimi mbi situatën në vend dhe në të gjithë Ballkanin,” thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat nga ambasada ruse në BiH.
Paralajmërim për gjithë Ballkanin
Ministria e Jashtme e Rusisë shtoi se gjyqi, i cili zgjati një vit e gjysmë, “nuk ishte asgjë tjetër veçse një parodi e drejtësisë dhe një tallje e hapur me shtetin e së drejtës”.
“Shpallja e Dodikut fajtor është një akt i pastër politik, i frymëzuar nga Perëndimi, i cili përmes marionetave të tij në sistemin gjyqësor të Bosnjës dhe Hercegovinës shpreson të eliminojë nga skena politike forcat patriotike të Republikës Sërpska që i rezistojnë neo-kolonializmit euro-atlantik,” theksohet në deklaratë.
Ministria ruse nënvizoi se sistemi gjyqësor i BiH duhet të marrë një qëndrim të pavarur dhe objektiv, i bazuar në parimet e një shteti sovran ligjor, i cili nuk ndikohet nga faktorë të jashtëm, duke u mbështetur në Kushtetutën e BiH dhe Marrëveshjen e Dejtonit.
“Është e nevojshme të merret një vendim për të ndaluar mbështetjen tek mentorët e papërgjegjshëm të jashtëm dhe tek përfaqësuesi i lartë, egoizmi i të cilit po shkatërron atmosferën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes popujve të BiH, po thellon ndarjet dhe po i mohon vendit një të ardhme,” thuhet në deklaratë.
Në njoftim theksohet gjithashtu se është e papranueshme që të nxiten tensione në BiH, pasi kjo do të rrezikonte stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit.
“Përgjegjësia për këtë zhvillim të ngjarjeve do të bjerë mbi ata që kanë ndërtuar një proces jokushtetues dhe antidejtonian kundër Republikës Sërpska dhe e kanë mbështetur atë deri më sot, pavarësisht çdo logjike juridike dhe arsyetimi të shëndoshë, duke e çuar procesin e pajtimit ndëretnik në një rrugë pa krye. Moska pret që të gjitha këto rrethana të merren parasysh,” përfundon deklarata e Ministrisë së Jashtme të Federatës Ruse.