Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë 300 robër lufte

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se 150 ushtarakë të saj janë kthyer në këmbim të 150 pjesëtarëve të ushtrisë ukrainase

Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sot 300 robër lufte, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të ministrisë thuhet se 150 ushtarakë rusë janë kthyer nga Kievi dhe se të gjithëve po u sigurohet ndihmë psikologjike dhe mjekësore në Bjellorusinë fqinje.

Më tej në deklaratë thuhet se të gjithë ushtarakët e transferuar nga Ukraina do të transportohen në Rusi për trajtim dhe rehabilitim.

Duke theksuar se 150 pjesëtarë të ushtrisë ukrainase janë kthyer në këmbim, deklarata shtoi se Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) ndërmjetësuan shkëmbimin.

Moska dhe Kievi kanë kryer pothuajse 60 shkëmbime të burgosurish që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë më 24 shkurt 2022.

Shkëmbimi i fundit midis Moskës dhe Kievit u zhvillua në mes të tetorit, kur të dy vendet shkëmbyen 95 robër lufte secili.

Muajin e kaluar, Rusia dhe Ukraina akuzuan njëra-tjetrën për ngadalësimin e shkëmbimeve të të burgosurve.

Ndërkohë, Avokatja e Popullit i Rusisë, Tatyana Moskalkova, tha në fillim të këtij muaji se Moska po negocion një “shkëmbim të madh” të të burgosurve me Ukrainën, por nuk ka arritur ende një marrëveshje për këtë çështje me Kievin.

Kategoritë
BotaLajme