Rusia do të ndalojë shitjen e naftës për vendet që vendosin kufirin e çmimit

Novak tha se nëse Rusia duhet të përdorë këtë ndalim, ajo gjithashtu do të duhet të zvogëlojë prodhimin e naftës për 5 deri në 7 për qind, respektivisht 500 mijë deri në 700 mijë fuçi në ditë

Zv.kryeministri i Rusisë, Alexander Novak, ka bërë të ditur se Moska do të ndalojë furnizimet me naftë për vendet që do t’i bashkohen kufirit të çmimit të naftës ruse, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ky dekret nënkupton një ndalim të furnizimit me naftë dhe produkte të naftës për ato vende dhe ato subjekte juridike që do të kërkojnë respektimin e kontratave me çmimin tavan të vendosur nga BE-ja”, tha zv.kryeministri Noval për kanalin televiziv shtetëror ‘Rossiya 24’.

Novak tha se nëse Rusia duhet të përdorë këtë ndalim, ajo gjithashtu do të duhet të zvogëlojë prodhimin e naftës për 5 deri në 7 për qind, respektivisht 500 mijë deri në 700 mijë fuçi në ditë.

Kufiri i çmimit të BE-së për naftën ruse në 60 dollarë për fuçi hyri në fuqi më 5 dhjetor, së bashku me ndalimin e furnizimit me naftë ruse në vendet e BE-së përmes detit. Përveç vendeve të BE-së, kufizimeve iu bashkuan edhe vendet e Grupit G7 dhe Australia.

Novak tha se pret që Moska të vazhdojë të furnizojë me gaz tregun evropian pasi atje është kërkesa për karburantin rus.

“Kolegët tanë evropianë vazhdimisht po na kërkojnë të rrisim vëllimet përmes infrastrukturës që është e angazhuar sot, kjo është ‘Rrjedha Turke’, ‘Rrjedha e Kaltër’, pjesë e infrastrukturës ukrainase”, tha ai.

Sipas tij, kompania ruse ‘Gazprom’ tani po punon në mënyrë aktive me Türkiye-n për formimin e një qendre gazi, duke sugjeruar pjesëmarrjen e vendeve të tjera.

“Pasi Algjeria, Katari dhe Azerbajxhani aktualisht po furnizojnë Evropën në drejtimin jugor, në parim, ne po flasim për krijimin e një qendre ku do të marrin pjesë jo vetëm furnizuesit rusë, por edhe eksportuesit e tjerë”, tha ai.

Novak pret që gjatë vitit 2023 të përpunohen dhe të merren vendimet për qendrën e gazit në Türkiye, ku çmimet e gazit do të formohen sipas tregut.

Kategoritë
BotaLajme