Rusia e konsideron Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe si destinacione të mundshme për samitin mes Putinit dhe Trump-it

Rusia i sheh Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe si destinacione të mundshme për një samit midis presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, kanë bërë të ditur për Reuters dy burime ruse të informuara mbi diskutimet.

Trump deklaroi se do t’i japë fund luftës në Ukrainë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shprehu gatishmërinë për t’u takuar me Putinin.

Putini e ka uruar Trump-in për zgjedhjen e tij dhe shprehu gatishmërinë për t’u takuar me udhëheqësin amerikan për të diskutuar mbi çështjet e Ukrainës dhe energjisë.

Zyrtarët rusë kanë mohuar disa herë çdo kontakt të drejtpërdrejtë me SHBA-në për përgatitjet e një bisede telefonike midis Trump-it dhe Putinit, e cila mund të paraprijë një takim të mundshëm gjatë këtij viti.

Megjithatë, burime ruse që folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës, thanë se zyrtarë të lartë rusë kanë vizituar kohët e fundit Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Një burim deklaroi se brenda Rusisë ende ka kundërshtime ndaj kësaj ideje, pasi disa diplomatë dhe zyrtarë të inteligjencës kanë vënë në dukje lidhjet e ngushta ushtarake dhe të sigurisë që kanë si Mbretëria ashtu edhe Emiratet me Shtetet e Bashkuara.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nuk iu përgjigjën kërkesave për komente. Kremlini refuzoi të komentonte. Megjithatë, si Trump ashtu edhe Putini kanë krijuar marrëdhënie miqësore me udhëheqësit e Arabisë Saudite dhe Emirateve.

Trump tha se administrata e tij ka “takime dhe bisedime të planifikuara me palë të ndryshme, përfshirë Ukrainën dhe Rusinë”.

Kur u pyet për të komentuar këto deklarata, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, tha se kontaktet “mendohet se janë planifikuar”.

Princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman, ishte kreu i parë i një shteti të huaj që Trump e ftoi pas marrjes së detyrës. Ai e përshkroi princin si një “djalë fantastik” gjatë një fjalimi me video në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Putini, i cili vizitoi Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2023, deklaroi shtatorin e kaluar se ishte mirënjohës ndaj Mohammed bin Salman-it për ndihmën e tij në organizimin e shkëmbimit më të madh të të burgosurve midis SHBA-së dhe Rusisë që nga Lufta e Ftohtë.

Putini dhe Mohammed bin Salman, gjithashtu i njohur si MbS, kanë ndërtuar një marrëdhënie të afërt personale që nga viti 2015, kur princi e vizitoi për herë të parë Rusinë.

Kategoritë
BotaLajme