Rusia falënderon Turqinë për përpjekjet e ndërmjetësimit në bisedimet ruso-ukrainase

Turqia ka marrë “një pozicion të balancuar dhe të pavarur”, u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se vendi i saj është “mirënjohës” ndaj Turqisë për përpjekjet e saj ndërmjetësuese në luftën Rusi-Ukrainë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në Moskë, Zakharova tha se Rusia i është “mirënjohëse” Turqisë “për rolin e ndërmjetësimit, për përpjekjet ndërmjetësuese që udhëheqësia e këtij vendi ishte e gatshme të ofronte për bisedimet ruso-ukrainase dhe zgjidhjen e situatës”.

Zakharova vuri në dukje se në krahasim me qasjen perëndimore të vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, Turqia ka marrë “një pozicion të balancuar dhe të pavarur”, nuk i është bashkuar masave kufizuese, i është përmbajtur Konventës së Montreux dhe ka mbajtur hapësirën e saj ajrore të hapur për aviacionin rus.

Konventa e vitit 1936 i jep Turqisë autoritetin për të ndaluar anijet luftarake nga ngushticat gjatë kohërave të luftës.

Zakharova tha gjithashtu se pavarësisht dallimeve rreth Ukrainës, as qeveria turke dhe as populli turk nuk e ndajnë fushatën perëndimore anti-ruse.

“Dhe me të gjitha nuancat,” tha ajo, Rusia nuk e ndan “pozitën e Turqisë për Ukrainën, përfshirë Krimenë, dhe për këtë është folur hapur në bisedime, por fushata rusofobike nuk e pushtoi as qeverinë turke dhe as popullin në tërësi. As qeveria turke dhe as populli turk nuk e ndajnë histerinë anti-ruse që po ndodh në Perëndim”.

Ajo shtoi se pozicioni i balancuar i Ankarasë ishte ndër arsyet që çuan në organizimin e bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë në Stamboll.

“Shpresojmë që partnerët tanë turq do të na ndihmojnë ta bëjmë këtë takim me delegacionin ukrainas sa më efektiv dhe efikas”, tha zëdhënësja.

Dita e parë e raundit të ri të bisedimeve dy-ditore të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga Turqia, përfundoi sot në Stamboll.

Para bisedimeve, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës, përderisa lufta ka hyrë në muajin e dytë.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka hasur në zemërim ndërkombëtar, ndërsa BE-ja, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë zbatuar sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 1.179 civilë janë vrarë në Ukrainë dhe 1.860 janë plagosur, duke paralajmëruar se shifra e vërtetë mund të jetë shumë më e lartë.

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, më shumë se 3,9 milionë ukrainas kanë ikur në disa vende evropiane, me miliona të tjerë të zhvendosur brenda vendit.

Kategoritë
BotaLajme