Rusia: Ka nevojë për rifillimin e dialogut të drejtpërdrejtë me SHBA-në në nivel politik

“Ka nevojë për rifillimin e dialogut të drejtpërdrejtë në nivel politik. Për shkak të mungesës së dialogut, stanjacioni në marrëdhënie vazhdon”, deklaroi zv/ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov tha se ka nevojë për rifillimin e dialogut të drejtpërdrejtë me SHBA-në në nivel politik, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë për agjencinë ruse të lajmeve TASS, Ryabkov vlerësoi marrëdhëniet e Rusisë me SHBA-në.

Duke vlerësuar mundësinë e takimit të presidentit rus Vladimir Putin me presidentin amerikan Donald Trump, Ryabkov ndau informacionin se ende nuk ka zhvillime për këtë çështje.

“Ne po ndjekim me shumë kujdes sinjalet që vijnë nga Washingtoni lidhur me çështjet urgjente. Të gjitha këto sinjale janë të rëndësishme dhe janë në vëmendjen tonë. Por, ka nevojë për rifillimin e dialogut të drejtpërdrejtë në nivel politik. Për shkak të mungesës së dialogut, stanjacioni në marrëdhënie vazhdon”, deklaroi Ryabkov.

Duke nënvizuar se kjo situatë nuk është e përshtatshme për ta, Ryabkov u shpreh: “Ne jemi të gatshëm për dialog dhe të konsultojmë çështjet më urgjente. Por, dialogu duhet të fillohet në bazë të respektit reciprok dhe duke marrë parasysh interesat tona”.

Ryabkov tha se nuk kanë marrë ende kredenciale nga Washingtoni për ambasadorin që Rusia ka emëruar në SHBA.

“Nuk ka zhvillim lidhur me kredencialet. Jemi në pritje. Duam të dëgjojmë një sinjal nga Washingtoni për një vendim pozitiv. Mendoj se edhe për palën amerikane ka nevojë që të funksionojnë të gjitha mekanizmat e komunikimit ndërmjet shteteve. Prandaj i bëjmë thirrje që t’i kushtojë vëmendje kësaj çështjeje”, tha Ryabkov.

Kategoritë
BotaLajme