Rusia: Lufta bërthamore nuk mund të fitohet, nuk duhet të luftohet kurrë

Në faqen e saj zyrtare, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë theksoi se doktrina ushtarake ruse ndjek “vetëm qëllime mbrojtëse”

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Rusisë tha se lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të luftohet kurrë, duke e përsëritur këtë si një parim të Moskës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kjo deklaratë e MPJ-së ruse vjen në kohën e frikës së shtuar në Perëndim për përdorimin e armëve bërthamore teksa vazhdon lufta në Ukrainë.

Në faqen e saj zyrtare, ministria theksoi se doktrina ushtarake ruse ndjek “vetëm qëllime mbrojtëse”.

“Ne jemi fuqimisht të bindur se në situatën aktuale të ndërlikuar dhe të turbullt, të shkaktuar nga veprime të papërgjegjshme dhe të paturpshme që synojnë të cenojnë sigurinë tonë kombëtare, detyra e parë është shmangia e çdo përplasjeje ushtarake të fuqive bërthamore”, theksoi ministria.

Ministria tha se si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një nga fuqitë bërthamore të botës, në përputhje me Traktatin e Mospërhapjes Bërthamore, Rusia e konsideron veten bartëse të një përgjegjësie të veçantë në çështjet që lidhen me forcimin e sigurisë ndërkombëtare dhe stabilitetit strategjik.

“Rusia vazhdon të ndjekë rëndësinë e vazhdueshme të marrëveshjeve dhe mirëkuptimeve ekzistuese në fushën e shkurtimit dhe kufizimit të armëve bërthamore, si dhe reduktimin e rreziqeve strategjike dhe kërcënimit të incidenteve ndërkombëtare dhe konflikteve me rrezik të përshkallëzimit në nivelin bërthamor”, thuhet në deklaratë.

Nga MPJ-ja ruse riafirmojnë plotësisht angazhimin ndaj deklaratës së përbashkët të liderëve të pesë shteteve me armë bërthamore për parandalimin e luftës bërthamore dhe shmangien e garave të armëve të 3 janarit 2022.

Shërbimi diplomatik rus u bëri thirrje fuqive të tjera bërthamore “të demonstrojnë në praktikë gatishmërinë e tyre për të punuar në zgjidhjen e kësaj detyre me prioritet të lartë” dhe “të heqin dorë nga përpjekjet e rrezikshme për të cenuar interesat jetike të njëra-tjetrës”.

“Rusia vazhdon të avokojë për një arkitekturë të rinovuar, më të fortë të sigurisë ndërkombëtare të bazuar në sigurimin e parashikueshmërisë dhe stabilitetit strategjik global, si dhe në parimet e të drejtave të barabarta, sigurisë së pandashme dhe llogarisë reciproke të interesave thelbësore të palëve”, thonë nga ministria.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë këtë shkurt, vendet perëndimore kanë interpretuar deklarata të ndryshme të presidentit rus Vladimir Putin si kërcënime për përdorimin e armëve bërthamore në konflikt. Kremlini ka mohuar çdo kërcënim të tillë.

Kohët e fundit Rusia ka paralajmëruar gjithashtu vendet perëndimore për një komplot të supozuar nga Ukraina për të përdorur të ashtuquajturën “bombë të ndyrë”, një bombë konvencionale e mbushur me materiale bërthamore, në territorin e saj dhe më pas të fajësojë Moskën.

Vendet perëndimore i hodhën poshtë pretendimet, duke sugjeruar se ato mund të synojnë të hedhin bazat për një mashtrim rus në këtë drejtim.

Kategoritë
BotaLajme