Rusia: Nuk do ta sulmojmë Ukrainën, i papranueshëm madje edhe mendimi për luftë mes dy vendeve

Nëndrejtori i Departamentit të Informacionit dhe Shtypit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë, Alexei Zaitsev, deklaroi se vendi i tij nuk do ta sulmojë Ukrainën, madje edhe mendimi për shpërthimin e një lufte mes dy popujve është i papranueshëm.

Duke folur të enjten në një konferencë javore në Moskë, Alexei Zaitsev tha se “disa vende perëndimore” po i përshkallëzojnë tensionet ruso-ukrainase në përpjekje për të t’i përçarë “njerëzit e bashkuar historikisht të Rusisë dhe Ukrainës” duke krijuar “një vatër destabiliteti në Evropë” dhe përkeqësuar marrëdhëniet e Rusisë me Bashkimin Evropian.

“Ne jemi të bindur që nëse Perëndimi nuk do të kishte ndërhyrë, konflikti në pjesën lindore të Ukrainës do të ishte zgjidhur shumë kohë më parë. Në fakt edhe vetë konflikti, i cili filloi me ardhjen e nacionalistëve në pushtet në Kiev, me shumë mundësi nuk do të kishte ndodhur”, u shpreh ai.

Zyrtari rus vuri në pah se ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov dhe sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, Oleksiy Danilov, thanë se nuk shohin ndonjë bazë për të besuar që Rusia po përgatit një pushtim.

“Nga ana jonë, ne e kemi deklaruar vazhdimisht se vendi ynë nuk do të sulmojë askënd, madje e konsiderojmë të papranueshme edhe idenë e një lufte mes popujve tanë. Megjithatë padronët e Ukrainës jashtë shtetit mendojnë ndryshe. Duket se ata synojnë t’i përmbahen me vendosmëri skenarit që kanë paraqitur, sipas të cilit Rusia duhet të sulmojë Ukrainën… Dhe ata po përpiqen të bëjnë gjithçka që është e mundur për ta jetësuar atë. Për të mbështetur pretendimet për një pushtim rus, vendet perëndimore po evakuojnë personelin e tyre diplomatik dhe po rrisin furnizimet me armë duke i rritur tensionet artificialisht”, shtoi Zaitsev.

Sipas tij, ata (perëndimorët) madje përmendin edhe një kohë të planifikuar të “sulmit” të Rusisë në Ukrainë diku nga tani deri në mes të shkurtit.

“Ata që kundërshtojnë rrjedhën kryesore janë përjashtuar, me Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviç, që është shtuar në «listën e ekzekutimit» të bazës së të dhënave të Myrotvorets”, tha zyrtari i MPJ ruse duke iu referuar një portali ukrainas që turpëron zërat proruse.

Zaitsev nënvizoi se edhe ish-nënadmirali i Marinës së Gjermanisë, Kay-Achim Schonbach, kohët e fundit u detyrua të jepte dorëheqjen për komente në mbështetje të Rusisë.

“Me një ndikim kaq shkatërrues, nuk është për t’u habitur që nuk ka përparim në negociatat midis Kievit, Donjeckut dhe Luhanskut për zgjidhjen e konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës”, theksoi ai.

Sipas Zaitsev, një takim i gjatë 8 orë në fillim të kësaj jave ndërmjet këshilltarëve presidencialë të vendeve të “Katërshes së Normandisë” – Rusisë, Gjermanisë, Francës dhe Ukrainës – ishte i vështirë dhe rezultati kryesor i tij ishte konfirmimi nga të gjitha palët i domosdoshmërisë së zbatimit të marrëveshjeve të Minskut.

“Shpresojmë që në takimin e ardhshëm, planifikuar në Berlin pas dy javësh, do të jetë e mundur të gjejmë zgjidhje për problemet që janë grumbulluar gjatë 7 viteve dhe çështja e statusit të Donbasit do të lëvizë nga «pika e vdekur» aktuale”, vijoi ai.

Zaitsev u bëri thirrje autoriteteve ukrainase të “tregojnë pavarësi”, të mendojnë për interesat e vendit të tyre dhe të gjejnë një dialog të drejtpërdrejtë me rajonet e shkëputura për një zgjidhje politike të konfliktit.

“Ne presim që vendet e NATO-s t’i japin fund nxitjes së konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës dhe të shmangin ndërhyrjet në punët e brendshme të këtij vendi, gjë që duhet të lejojë palët ukrainase të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me dialog të drejtpërdrejtë ndërmjet tyre”, përfundoi nëndrejtori i Departamentit të Informacionit dhe Shtypit në MPJ ruse.

Nëntorin e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit pretendoi se Rusia po përgatitej për një pushtim të Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës miratuan 200 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Kievin dhe u bënë thirrje partnerëve të tyre evropianë të rrisin furnizimet me armë në Ukrainë.

Këtë vit, dërgesa të mëdha armësh kanë mbërritur në Ukrainë.

Për të mbështetur teorinë e saj, SHBA-ja njoftoi gjithashtu se Rusia kishte evakuuar stafin e saj diplomatik nga Ukraina, një veprim që normalisht i paraprin fillimit të një lufte.

Edhe pse Rusia i mohoi akuzat në fjalë, SHBA-ja tërhoqi personelin e saj diplomatik nga Ukraina dhe disa vende evropiane ndoqën këshillën e tyre gjithashtu.

Për të zbutur tensionet, Gjermania dhe Franca organizuan një takim të këshilltarëve presidencialë të Katërshes së Normandisë, i cili u zhvillua në Paris në fillim të kësaj jave.

Bisedimet në kryeqytetin francez zgjatën më shumë se 8 orë pa pushim dhe çuan në njëfarë shtendosjeje të situatës. Po ashtu të gjitha palët konfirmuan domosdoshmërinë e respektimit të marrëveshjeve të Minskut duke sugjeruar një zgjidhje të konfliktit përmes dialogut të drejtpërdrejtë ndërmjet Kievit, Donejckut dhe Luhanskut.

Kategoritë
BotaLajme