Moska ka deklaruar se nuk ka detyrim të ndihmojë ushtarakisht Iranin në rast të një sulmi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump drejtuar Teheranit që të heqë dorë nga zhvillimi i armëve bërthamore.
Trump deklaroi të hënën se SHBA-të po zhvillojnë bisedime direkte me Iranin lidhur me programin e tij bërthamor, për të cilin vendet perëndimore kanë frikë se mund të përdoret për qëllime ushtarake. Irani nga ana tjetër këmbëngul se programi është paqësor, dhe ka njoftuar se bisedimet në Oman do të zhvillohen përmes ndërmjetësve.
“Nëse negociatat dështojnë, kjo do të jetë një ditë shumë e keqe për Iranin”, paralajmëroi Trump.
Ai më herët ka kërcënuar me bombardime dhe sanksione të reja nëse nuk arrihet një marrëveshje mes dy vendeve.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Andrej Rudenko, deklaroi se një sulm amerikan ndaj Iranit do të kishte pasoja të rënda për të gjithë rajonin. Ai shtoi se Rusia është e gatshme të ndërmjetësojë midis Washingtonit dhe Teheranit, me të cilin ka marrëdhënie të afërta ushtarake.
Megjithatë, Rudenko theksoi se Moskës nuk i bie ndonjë detyrim për të ofruar ndihmë ushtarake ndaj Iranit në rast të një konflikti.
Sipas Hamidreza Azizi, ekspert për Iranin dhe studiues në institut think tank SWP në Berlin, udhëheqësit iranianë janë të vetëdijshëm se, në rast të një sulmi amerikan, do të përballen të vetëm.