Rusia ka bërë të ditur se nuk “përjashton” kontaktet me zyrtarë nga Washingtoni në ditët në vijim, pasi SHBA-ja dhe Ukraina zhvilluan bisedime në Arabinë Saudite gjatë të cilave Kievi ra dakord për një armëpushim 30-ditor
Rusia ka bërë të ditur se nuk “përjashton” kontaktet me zyrtarë nga Washingtoni në ditët në vijim, pasi SHBA-ja dhe Ukraina zhvilluan bisedime në Arabinë Saudite gjatë të cilave Kievi ra dakord për një armëpushim 30-ditor, transmeton Anadolu.
“Ne nuk përjashtojmë kontaktet me përfaqësuesit e SHBA-së në ditët në vijim”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.
Komentet e saj erdhën pas bisedimeve midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainasë në Arabinë Saudite, pasi palët në një deklaratë të përbashkët deklaruan gatishmërinë e Ukrainës për të pranuar propozimin e SHBA-së për të miratuar një armëpushim 30-ditor “të menjëhershëm dhe të përkohshëm”, me kusht që Rusia të pajtohet me propozimin.
Më herët, presidenti amerikan, Donald Trump, u tha gazetarëve se ai shpreson se Rusia do të pajtohet me një plan armëpushimi dhe njoftoi se do të ketë një takim të SHBA-së me Rusinë “më vonë, sot ose nesër”.
Pas bisedimeve në Arabinë Saudite, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Mike Waltz, u tha gazetarëve se do të bisedojë me homologun e tij rus në ditët në vijim.
“Ne kemi emëruar një delegacion në lidhje me hapat e ardhshme nga pala ukrainase. Unë do të flas me homologun tim rus në ditët në vijim”, tha Waltz.