Rusia: Përfshirja e Ukrainës në “aktivitete terroriste” nuk është rastësi

Më herët, Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) i konsideroi autoritetet ukrainase përgjegjëse për vrasjen e gazetares 29-vjeçare Dugina

Pasi një raport nga autoritetet ruse e cilësoi Kievin përgjegjës për vrasjen e gazetares ruse, Darya Dugina, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka deklaruar se përfshirja e Ukrainës në “aktivitete terroriste” nuk është rastësi, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Perëndimi duhet të kuptojë se përfshirja e regjimit të Kievit në aktivitete terroriste nuk është një aksident apo një shembull i izoluar. Nuk është as një normë e sjelljes. Gjithçka është shumë më serioze. Ky është një mentalitet nacionalist i kombinuar me terrorizmin si një mjet për zbatimin e ideologjisë kriminale”, shkroi Zakharova në kanalin e saj në ‘Telegram’.

Zakharova tha se “të gjithë qytetarët e vendeve, qeveritë e të cilave nënshkruajnë çeqe” për presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, duhet ta dinë për, siç tha ajo, “çfarë lloj regjimi dërgohen dërgesat e armëve”.

Më herët, Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) i konsideroi autoritetet ukrainase përgjegjëse për vrasjen e gazetares 29-vjeçare Dugina.

Sipas FSB-së, shtetasja ukrainase, Natalya Vovk, mbërriti në Rusi për të kryer krimin dhe pasi kreu detyrën u largua nga vendi.

Dugina, e cila u vra të shtunën vonë në një shpërthim të një automjeti në periferi të Moskës, ishte vajza e sociologut dhe filozofit rus, Aleksandr Dugin, i cili kryeson Lëvizjen Ndërkombëtare Euroaziatike, një lëvizje politike që kundërshton vlerat amerikane si liberalizmin dhe kapitalizmin.

Dugin u përfshi në listën e “100 mendimtarëve global të botës moderne” nga revista ‘Foreign Policy’ në vitin 2014. Ai gjithashtu është në listat e sanksioneve të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian (BE) për shkak të mbështetjes së tij të hapur ndaj politikës së presidentit rus, Vladimir Putin.

Kategoritë
BotaLajme