Rusia pretendon se kërkoi nga SHBA-ja shpjegim për përfshirjen e saj në shpërthimet e Rrjedhës Veriore

Zakharova për Anadolu tha se shpjegimet u kërkuan publikisht dhe në një deklaratë në lidhje me incidentin, e publikuar në faqen e internetit të ministrisë ruse më 21 shkurt

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka bërë të ditur se Moska ka kërkuar një shpjegim nga Washingtoni në lidhje me përfshirjen në shpërthimet e tubacioneve të gazit të Rrjedhës Veriore, raporton Anadolu.

Zakharova për Anadolu tha se shpjegimet u kërkuan publikisht dhe në një deklaratë në lidhje me incidentin, e publikuar në faqen e internetit të ministrisë ruse më 21 shkurt.

“Ne për këte kemi folur vazhdimisht, publikisht, përfshirë edhe me përfaqësuesit amerikanë. Dhe komenti ynë i 21 shkurtit përmban citatin pasues… ‘U theksua nga pala ruse se SHBA-ja duhet të japë shpjegime për shpërthimet në tubacionet e gazit të Rrjedhës Veriore 1 dhe Rrjedhës Veriore 2 dhe të mos ndërhyjnë me një hetim objektiv për identifikimin e autorëve’ Prandaj, përgjigja e shkurtër është po”, tha ajo.

Në lidhje me raportet në media, që pretendojnë se Gjykata Ndërkombëtare Penale mund të nisë dy raste kundër Rusisë për shkak të “operacionit special ushtarak” të saj në Ukrainë, Zakharova tha se ishte një “raportim i kontrolluar” që synonte “mbajtjen e temës në këmbë, por në të njëjtën kohë të mos mbaj ndonjë përgjegjësi”.

Gjithashtu, shtoi ajo, Rusia nuk është palë e Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe nuk ka detyrime ndaj statutit, kështu që siç tha ajo, vendimet e saj nuk do të kenë asnjë pasojë juridike.

“Prandaj, Rusia nuk bashkëpunon me këtë organ dhe ‘recetat’ e mundshme për arrestim që vijnë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale do të jenë ligjërisht të pavlefshme për ne”, tha ajo.

Tubacionet e Rrjedhës Veriore, të cilat transportonin gaz natyror rus në Gjermaninë veriore nëpërmjet Detit Baltik, u shpërthyen në një seri shpërthimesh më 26 shtator të vitit të kaluar, duke shkaktuar rrjedhje në atë që zyrtarët nga vendet e rajonit e quajtën “sabotim të mundshëm”.

Kategoritë
BotaLajme