Ukraina ka akuzuar Rusinë për shkeljen e “armëpushimit të Pashkëve” që u shpall të shtunën, pa paralajmërim të mëparshëm, nga presidenti rus Vladimir Putin.
Në një veprim të papritur dje, Putin deklaroi se kishte urdhëruar forcat e tij që “të ndalnin të gjitha aktivitetet ushtarake” që nga ora 18:00.
Armëpushimi i shpallur nga Putini të shtunën skadon në mesnatë sipas orës së Moskës (në orën 23:00 sipas kohës së Evropës Qendrore).
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të dielën se Putini nuk do ta zgjasë armëpushimin përtej afatit të njoftuar më parë, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.
“Putini nuk ka dhënë asnjë urdhër për zgjatjen e armëpushimit të Pashkëve. Armëpushimi përfundon sonte, në mesnatë nga e diela në të hënën, sipas kohës së Moskës”, tha Peskov para gazetarëve në Moskë.
Udhëheqësit ukrainas deklaruan se, ndonëse gjatë natës pati një ngadalësim të luftimeve, numri i sulmeve të kryera nga Rusia filloi të rritet përsëri ndërsa dita e diel po kalonte.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes e akuzoi Ukrainën për shkeljen e armëpushimit.
Njoftimi i Putinit u prit me skepticizëm të menjëhershëm nga Ukraina, megjithëse Kievi pranoi një armëpushim 30-orësh.
U ngritën pyetje mbi motivet e Putinit, i cili bëri thirrje për një ndalim të shkurtër të armiqësive, që ndodhi menjëherë pasi administrata e Trump-it kërcënoi se do të tërhiqej nga përpjekjet për paqe pa ndonjë shenjë të qartë përparimi.
Rusia më herët kishte refuzuar propozimin e SHBA-së për një armëpushim 30-ditor, të cilin Ukraina e kishte pranuar.