Rusia: Sulmet me dronë ndaj Kremlinit duhet të dënohen nga komuniteti botëror

MPJ e Rusisë tha “se sulmet e përcaktuara se janë kryer nga Ukraina me mjete ajrore pa pilot (dronë) ndaj Kremlinit duhet të dënohen nga komuniteti botëror dhe organizatat ndërkombëtare”

Ministria e Jashtme e Rusisë deklaroi se sulmet e përcaktuara se janë kryer nga Ukraina me mjete ajrore pa pilot (dronë) ndaj Kremlinit duhet të dënohen nga komuniteti botëror dhe organizatat ndërkombëtare, transmeton Anadolu.

“Dënojmë ashpër tentativën e akteve terroriste të kryera natën e 3 majit, kundër Kremlinit në Moskë me ndihmën e dronëve. Nuk ka dyshim se regjimi i Kievit ka qenë pas tij për një kohë të gjatë dhe se me vetëdije ka mbështetur dhe përdorur metoda terroriste kundër infrastrukturës civile dhe popullatës civile”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

“Sulmi rrit seriozitetin e krimit pasi është tentativë për atentat ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin dhe ndaj rezidencës së tij”, theksohet në deklaratën ku bëhet e ditur se krime të tilla nuk duhet të mbesin pa përgjigje dhe se Komiteti Hetimor i Rusisë ka filluar një hetim rreth këtij akti.

“Veprimet kriminale të Ukrainës konfirmojnë se Kievi nuk dëshiron paqen dhe që konfliktet të zgjidhen me rrugë politike dhe diplomatike”, thotë deklarata ku vihet theksi se “Rusia ka ndërmarrë ‘operacion special ushtarak’ ndaj këtij vendi për të parandaluar aktet terroriste dhe rreziqet e mundshme të sigurisë nga Ukraina”.

Më tej tërhiqet vëmendja se nuk është sekret që Perëndimi prej një kohe të gjatë ka dhënë armë, inteligjencë dhe mbështetje trajnimi dhe se heshtja e Perëndimit dëshmon “tolerim që Kievi të përdorë mënyrat terroriste”.

“Ne besojmë se organizatat ndërkombëtare dhe komuniteti botëror që punojnë në bazë të ligjit ndërkombëtar pa standarde të dyfishta, duhet të dënojnë mashtrimin e ri kriminal të regjimit të Kievit”, thuhet në deklaratë.

Kategoritë
BotaLajme