Rusia thërret ambasadorin amerikan lidhur me komentet e Biden-it për Putin-in

Në një njoftim në faqen zyrtare, ministria ruse tha se i dorëzoi një notë proteste ambasadorit amerikan, John Sullivan, lidhur me “komentet fyese” të presidentit Biden për presidentin Putin

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka thirrur ambasadorin e SHBA-së në Moskë për të protestuar ndaj “komenteve fyese” të presidentit amerikan, Joe Biden, ndaj homologut të tij rus, Vladimir Putin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim në faqen zyrtare, ministria ruse tha se i dorëzoi një notë proteste ambasadorit amerikan, John Sullivan, lidhur me “komentet fyese” të presidentit Biden për presidentin Putin.

“Deklarata të tilla të presidentit amerikan, të padenjë për një burrë shteti të një shkalle kaq të lartë, vendosën marrëdhëniet ruso-amerikane në prag të prishjesh. Ne paralajmëruam se veprimet armiqësore të ndërmarra kundër Rusisë do të marrin një kundërshtim vendimtar dhe të fortë”, tha ministria.

Më tej, ministria tha se po ashtu ka kërkuar nga ambasadori amerikan të garantojë funksionimin normal të misioneve diplomatike ruse në SHBA.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari më 16 mars, Biden tha se e konsideron homologun e tij rus një “kriminel lufte”.

Në përgjigje, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se presidenti amerikan, duke qenë udhëheqës i një vendi që ka “bombarduar njerëzit në të gjithë botën” për shumë vite dhe që ka hedhur bomba bërthamore për qytetet japoneze Hiroshima dhe Nagasaki, nuk ka të drejtë të akuzojë presidentin rus për krime lufte.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 925 civilë janë vrarë dhe rreth 1.500 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës më 24 shkurt në Ukrainë.

OKB-ja po ashtu ka theksuar se shifrat reale mund të jenë më të larta pasi kushtet në terren e bëjnë të vështirë verifikimin.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 3.3 milionë refugjatë janë larguar nga Ukrainë në vendet fqinje që nga shpërthimi i luftës, ndërsa numri i të zhvendosurve brenda vendit vlerësohet se është rreth 6.5 milionë.

Kategoritë
BotaLajme