Shefi i NATO-s, Mark Rutte ka thënë se Aleanca ka përcjellë për së afërmi zgjedhjet si një proces demokratik në Kosovë
Aleanca Veriatlantike NATO pret që në Kosovë të formohet një qeveri stabile, pas zgjedhjeve të përgjithshmë të mbajtura më 9 shkurt 2025, transmeton Anadolu.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte në një konferencë për media nga selia e kësaj aleance në Bruksel, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se NATO-ja është e gatshme të punojë me këdo që do ta udhëheqë vendin në të ardhmen.
Rutte ka thënë se NATO ka përcjellë për së afërmi zgjedhjet si një proces demokratik në Kosovë.
“Kuptojmë se kemi rezultatet preliminare, por aq sa di unë, deri më sot, jo edhe rezultatet finale. Akoma pritet që Komisioni Zgjedhor të raportojë për rezultatet finale. Dhe bazuar në rezultatet deri tash duket se do të ketë një qeveri të koalicionit. Natyrisht ne do të sigurojmë që ne do të punojmë me këdo që të udhëheqë me vendin”, ka thënë Rutte.
Ai shtoi se ua dëshirojnë “të gjithë politikanëve gjitha të mirat në navigimin e një ambienti politik dhe që të sigurojnë që të ketë një qeveri stabile sa më parë që të jetë e mundur”.
Rutte gjatë konferencës foli në konferencë për takimin e ministrave të Mbrojtjes që të enjten zhvillohet në Bruksel.
Diskutimet kryesore të këtij takimi ku pritet të marrë pjesë edhe ministri kosovar i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, fokusohen në situatën e sigurisë globale dhe mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën.
Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës është formati i takimeve të ministrave dhe shefave të Mbrojtjes së mbi 50 vendeve të botës që përbëjnë koalicionin e madh të mbështetësve të Ukrainës, që prej fillimit të agresionit rus.