Sa shumë sa amerikanët e tronditën Evropën, e tregoi edhe kreu i MSC-së: U përlot dhe konstatoi se asgjë nuk është më si më parë

Emocional Christoph Heusgen, kryetari i Konferencës së Sigurisë në Mynih (MSC), mbylli dje edicionin e 61-të të MSC-së, duke shënuar fundin e mandatit të tij në krye të konferencës, që kishte filluar në vitin 2022.

Në fjalët përmbyllëse, Heusgen falënderoi liderët evropianë, veçanërisht presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelensky, për reagimin e tyre ndaj fjalimit të nënkryetarit amerikan JD Vance gjatë konferencës.

“Me (themeluesin e MSC-së) Ewald von Kleist, kjo konferencë filloi si një konferencë transatlantike, por pas fjalimit të nënkryetarit Vance të premten, duhet të kemi frikë se baza jonë e përbashkët e vlerave nuk është më aq e përbashkët,” tha Heusgen.

Fjalimi i Vance, në të cilin ai kritikoi Evropën për shtypjen e supozuar të lirisë së shprehjes dhe mungesën e demokracisë, u kundërshtua nga disa liderë evropianë, përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz.

E gjithë kjo ka shkaktuar frikë në Evropë për rrezikimin e sovranitetit të Ukrainës dhe dobësimin e sigurisë evropiane.Liderët evropianë do të mbajnë sot një samit të jashtëzakonshëm joformal në Paris me vendet evropiane për Ukrainën.

“Mesazhi nga Mynihu është i qartë. Evropa nuk është diçka që është mirë ta kesh. Evropa duhet të jetë e domosdoshme,” tha kryetari Heusgen.

Kategoritë
BotaLajme