Sa vite mund të zgjasë procesi deri te anëtarësimi i Shqipërisë në BE?

Rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE ka nisur sot. Megjithatë hapja e negociatave për anëtarësim konsiderohet si maja e icebergut, pasi deri te anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian merr kohë. Njohësi i politikës ndërkombëtare, Agon Maliqi, vlerëson se Shqipërisë i duhet 7 deri në 20 vjet për t’u anëtarësuar plotësisht në BE. Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, thotë se është e vështirë të thuhet se në çfarë afati kohor Shqipëria mund të bëhet vend anëtar i BE-së. Hapja e këtyre negociatave po shihet si momentum që edhe Kosova të marr dritën e gjelbër të liberalizimit të vizave.

Pasi parlamenti maqedonas miratoi propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, sot në Bruksel zyrtarisht Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut hapën negociatat për anëtarësim në BE.

Megjithatë, kohëzgjatja deri te anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, konsiderohet relativisht e gjatë.

Analisti politik, Agon Maliqi, i tha Gazetës Express se procesi për Shqipërinë mund të shkojë nga 7 deri në 20 vjet dhe është i paparashikueshëm.

“Procesi për Shqipërinë realisht mund të shkojë prej 7 deri 20 vjet dhe është shumë i paparashikueshëm marrë parasysh disponimin e vendeve anëtare për zgjerim dhe pengesat që mund t’i ngrejë ndonjë vend anëtar. Me shumë gjasë procesi nuk do të ecë shpejt nëse nuk ka reformë të brendshme në BE, që është kërkesë dhe kusht i Francës. Veç kësaj, procesi varet edhe nga reformat e Shqipërisë, sidomos ato mbi sundimin e ligjit, e që marrin kohë”, tha ai.

Maliqi vlerëson se ka disponim që BE-ja tash të ecë përpara me heqjen e vizave për Kosovën, por që këtë proces po e lidhin me qasjen e Kosovës në raport me dialogun me Serbinë.

“Ka njëfarë disponimi për të ecur përpara me vizat, teksa një numër shtetesh anëtare kanë filluar të ndryshojnë qëndrim. Megjithatë, duket sikur hezitimi buron edhe nga kushte të “pathëna” dhe ndoshta kushtëzimi i liberalizimit me qasjen e Kosovës në raport me dialogun me Serbinë”, tha ai.

Se sa mund të zgjasë procesi i negociatave për Shqipërinë deri te anëtarësimi në BE është e pamundur të dihet, thotë nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, i tha Gazetës Express, se politikat e BE-së janë komplekse dhe s’mund të jipen afate kohore.

“Përshkak të përvojave të hidhura me politikën komplekse të Bashkimit Evropian, nuk mund të flas me afate kohore se kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do t’i përfundojnë negociatat por jam optimiste se nuk do të zgjasin sikur me shtetet tjera”, tha Çitaku.

Ajo shpreson që BE-ja me këtë momentum të krijuar t’i heqë vizat për kosovarët, që tashmë janë më të izoluarit.

“Hapja e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë, shpresoj të shërbejë edhe si hap për BE-në që t’i liberalizojë vizat për kosovarët që tashmë janë të vetmit që s’mund të udhëtojnë pa viza, praktikisht gjenden në një burg të hapur”, tha Çitaku.

Zyrtarja e PDK-së, e vlerësoi lartë deklaratën e kryeministrit Edi Rama sot në Bruksel në lidhje me Gjykatën Speciale dhe krimet e pretenduara të raportit të Dick Martyt për krerët e UÇK-së.

“Me këtë rast dua ta falënderoj edhe kryeministrin Edi Rama për deklaratën për krerët e UÇK-së dhe luftën çlirimtare. Në këtë rast nuk është mbrojtur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi apo Jakup Krasniqi por është mbrojtur historia jonë”, tha ajo.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të martën nga Brukseli se Këshilli i Evropës duhet të kërkojë falje për raportin e senatorit zviceran, Dick Marty, që ka të bëjë me krimet që pretendohet t’i kenë kryer pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Si bëhen anëtarë kandidatët?

Para fillimit të negociatave të anëtarësimit, vendi kandidat dhe Komisioni Evropian vendosin të ashtuquajturën “ strategji e para-anëtarësimit ”, e cila çon në hartimin e një kuadri negociues nga të dyja palët.

Negociatat nuk mund të fillojnë derisa mandati të miratohet unanimisht nga vendet anëtare të BE-së.

Në këtë proces, Komisioni Evropian duhet të jetë i kënaqur që vendi kandidat të plotësojë tre kushte, të ashtuquajturat kritere të Kopenhagës.

Për të filluar negociatat, vendi kandidat megjithatë duhet të plotësojë vetëm kriteret politike, ndërsa të tjerat mund të përmbushen gjatë fazës së negociatave.

Më pas zhvillohen negociatat ndërmjet ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të BE-së dhe vendit kandidat në atë që quhet Konferenca Ndërqeveritare (IGC).

Faza e parë përfshin një proces rigoroz shqyrtimi të legjislacionit të vendit kandidat për të parë se sa mirë është ai në përputhje me ligjin e BE-së ose me “acquis communautaire.”

Acquis është i ndarë në 35 kapituj negociues, të grupuar në gjashtë grupe, që mbulojnë çdo aspekt legjislativ, të cilat të gjitha individualisht mund të mbyllen vetëm me bekimin unanim të të gjitha shteteve anëtare të BE-së.

Negociatat fillojnë me hapjen e kapitujve “themelorë”, çështje si gjyqësori dhe të drejtat themelore, dhe ky kapitull është gjithashtu i fundit që është nënshkruar.

Negociatat e disa kapitujve mund të zhvillohen njëkohësisht.

Pasi të jenë mbyllur të gjithë kapitujt, Komisioni rekomandon vendet kandidate për anëtarësim dhe vendi nënshkruan Traktatin e Aderimit që specifikon një datë për anëtarësim, duke e bërë atë një “vend aderues”.

Traktati duhet të ratifikohet nga të 27 vendet anëtare dhe Parlamenti Evropian, i cili duhet të miratojë tekstin me shumicë absolute.

Sa kohë zgjat anëtarësimi?

Ritmi i negociatave varet nga shpejtësia e reformës dhe përafrimi me ligjet e BE-së në çdo vend dhe kohëzgjatja e tyre mund të ndryshojë.

Komisioni Evropian përshkruan progresin e vendeve kandidate në raportet vjetore.

Për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ekzekutivi i BE-së tha në vlerësimin e vitit të kaluar të dy vendet ishin ‘mesatarisht të përgatitura’ në shumicën e gjashtë grupeve dhe kanë parë njëfarë progresi.

Realisht, mbyllja e kapitujve mund të zgjasë disa vite, siç ka ndodhur me Serbinë apo Malin e Zi.

Çdo vend i BE-së mund të kundërshtojë mbylljen ose hapjen e kapitujve dhe Bullgaria i ka rezervuar vetes të drejtën për ta bërë këtë nëse protokolli dypalësh nuk zbatohet nga Maqedonia e Veriut.

Më të shpejtë për të negociuar pranimin ishin Austria, Finlanda dhe Suedia, në pak më pak se dy vjet, ndërsa Kroacisë iu deshën tetë vjet nga fillimi i negociatave për t’u bërë anëtare e plotë e bllokut.

Cilat mund të jenë pengesat?

Çështjet dypalëshe ose trazirat e brendshme: Pavarësisht se fitoi mbështetjen e shumicës së ligjvënësve, propozimi francez kishte shkaktuar protesta të gjera në Maqedoninë e Veriut, me kundërshtarët që argumentonin se ndryshimi i kushtetutës mund të jetë një hap shumë larg.

Kritikët e propozimit francez në Shkup thonë se ai hap derën për mohimin e identitetit kombëtar të maqedonasve. Partia e fuqishme opozitare VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut kundërshton fuqishëm kompromisin francez.

Shkalla e përthithjes:  Kriteret e Kopenhagës përfshijnë gjithashtu një konsideratë të katërt, domethënë që BE-ja duhet të ketë kapacitetin për të absorbuar një shtet të ri anëtar.

Gjatë viteve të fundit, ka pasur një shkallë të caktuar hezitimi për zgjerim brenda BE-së. Por rëndësia strategjike e Ballkanit Perëndimor për BE-në është rritur që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë, me frikën për ndikimin e Moskës në rajon.

Çekia, e cila tani mban Presidencën e rradhës gjashtëmujore të Këshillit të BE-së, do të duhet të balancojë midis vendeve që shtyjnë për pranimin e shpejtë të Ukrainës në BE dhe vendeve që kanë pritur për shumë vite, si ato në Ballkanin Perëndimor, nga ana tjetër.

Në tetor 2022, Presidenca Çeke do të organizojë një samit jozyrtar në Pragë. Në aktivitet do të marrin pjesë shtetet anëtare dhe vende të tjera evropiane, “nga Islanda në Ukrainë”.

Megjithatë, disa shtete anëtare mbrojnë në mënyrë efektive reformën e BE-së përpara çdo zgjerimi të mëtejshëm të bllokut.

Franca së fundmi ka paraqitur plumbin e saj të argjendtë për të stabilizuar fqinjësinë e BE-së dhe nuk është domosdoshmërisht zgjerimi në radhë të parë

Kategoritë
Lajme