Sali Berisha shpallet person “non grata” nga Britania e Madhe

Berisha ka konfirmuar se autoritetet britanike kanë marrë vendimin për moslejimin e hyrjes së tij në Britaninë e Madhe, “për lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë dhe për korrupsion”

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se autoritetet britanike kanë marrë vendimin për moslejimin e hyrjes së tij në Britaninë e Madhe, “për lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë dhe për korrupsion”.

Në një konferencë për mediat nga selia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Berisha tha se si arsye i është komunikuar për “lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe për korrupsion”.

Duke i mohor akuzat, Berisha ka shtuar se ndonëse ashtu si thotë ky vendim, është konfidencial dhe ndonëse përfaqësuesit e Britanisë në Tiranë kanë deklaruar se nuk do të publikojnë emrat, ai ka marrë vendimin t’a bëjë publik për qytetarët shqiptarë.

“Ky vendim është në vazhdën e shpifjeve për interesa të të njëjtit grup, që ka sponsorizuar edhe vendimin e sekretarit Blinken (Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken), të bazuar në shpifje dhe lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe multimiliardierit George Soros. Unë kam qenë në dijeni të përpjekjeve të diplomatëve të Departamentit të Shtetit, që partnerët ndërkombëtarë t’i bashkëngjiten vendimit të tyre, absolutisht pa asnjë bazë, me qëllim rritjen e presionit ndaj meje dhe justifikimin e vendimit të tyre bazuar në shpifje”, ka deklaruar Berisha.

Berisha ka shtuar se fton autoritetet britanike të dorëzojnë pranë organeve të drejtësisë të vendit të tyre, dhe pranë organeve të drejtësisë në Shqipëri, “çdo fakt, provë apo dokument që disponojnë, ata ose kushdo tjetër, për akuzat që kanë ngritur kundër meje”.

Ndërkohë, në një njoftim në rrjetet sociale, Ambasada e Britanisë në Tiranë ka theksuar se këtë javë Mbretëria e Bashkuar ndërmori veprime frenuese ndaj disa individëve shqiptarë me lidhje të publikuara gjerësisht dhe të dokumentuara me krimin dhe korrupsionin.

Kujtojmë se më 19 maj 2021 Ambasada e SHBA-së në Shqipëri njoftoi vendimin e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për shpalljen e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, si person i papërshtatshëm për të hyrë në SHBA për “veprimet korruptive dhe minim të demokracinë në Shqipëri”.

Pas shpalljes së Berishës “non grata” nga SHBA-ja, ish-kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, vendosi të përjashtojë nga grupi parlamentar i kësaj partie ish-kryeministrin Berisha, vendim që shkaktoi përplasje brenda PD-së, duke krijuar dy grupime brenda saj.

Kategoritë
LajmeRajoni